Emergjencat Civile raportojnë për 5 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë e Gjirokastër.

Në qarkun Vlorë janë ende aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatrat Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, bashkia Delvinë. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, është angazhuar dhe një helikopteri duke shuar të gjitha vatrat e zjarrit.

Në Qarkun Tiranë vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë Rrogozhinë. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter po punojnë për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.

Në qarkun Gjirokastër kanë vazhduar të jenë të ndezura disa vatra zjarrit në Jorgucat të bashkisë Dropull dhe në fshatrat Kardhiq dhe Dhoksat të bashkisë Gjirokastër. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake kanë punuar duke shuar plotësisht zjarret në Dhoksat, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave të fshehura në fshatin Jorgucat dhe Kardhiq.

Në qarkun Korçë është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha në fshatin Panarit, bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetura nga forca ushtarake, por kërkohet ndërhyrje nga ajri, për shkak të vështirësive të terrenit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 50 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 60 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, 48 punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë.

Artikulli paraprakZJARRET NË GREQI; QEVERIA: PLAN I ORGANIZUAR PËR TË SHKAKTUAR TENSIONE
Artikulli tjetërSHPËRTHIM NË STACIONIN E TRENAVE, PANIK NË LONDËR