Edhe pse në gjuhë diplomatike, përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit thonë se ‘ligjin e lexojnë ndryshe nga shqiptarët’. Grupi i ekspertëve ndërkombëtarë të drejtuar nga Genoveva Ruiz Kalavera, që do të ishte garancia kushtetuese për mospolitizimin e institucioneve të drejtësisë, nuk u mor parasysh kur në kuvend u votuan anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit.

Të pyetur për faktin se kuvendi i injoroi rekomandimet e tyre për kandidatët në këto këshilla, ONM përgjigjet: “ONM dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, brenda kornizës së tyre të pavarësisë dhe përgjegjësisë, kanë vlerësuar në mënyrë të ndryshme kërkesat minimale që kanë të bëjnë me tri raste”. Tre rastet janë kandidaturat e Alfred Ballës, Andi Muratajt dhe Entela Baçit. Dy të parët ishin skualifikuar nga ONM në garën për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke kualifikuar vetëm Bacin. Por kuvendi e përjashtoi nga gara për mospërmbushje të kushteve ligjore, ndërsa rifuti në lojë 2 të tjerët njëri prej të cilëve rezultoi fitues. E gjithë kjo mospërputhje qëndrimesh, sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, vjen si pasojë e paqartësisë së ligjit për institucionet e reja të drejtësisë. “Ligji përkatës përcakton kushtet formale dhe / ose kërkesat minimale për përzgjedhjen e anëtarëve në këshillat e rinj. Por disa dispozita në legjislacion lënë vend për një nivel të caktuar të diskrecionit në interpretim”.

ONM megjithatë përkrah idenë e shortit si mekanizëm zhbllokues në rast krizash politike. Të huajt nuk ishin të vetmit që kishin rezerva për kandidatët për KLGJ e KLP. Sipas autoritetit të dosjeve, në këtë proces garonin 4 ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dhe 2 të përfshirë në gjyqe politike.

Artikulli paraprakNDODH NË NJË FSHAT TË PUKËS, SHQIPONJA E ROBËRUAR LIROHET NGA POLICIA
Artikulli tjetërNIS PUNË TASK-FORCA KUNDËR KRIMIT, JA DOSJET QË DO HETOJË