Operacion policor shqiptaro – grek, goditet banda që grabiste fshatrat matanë kufirit

Një bandë shqiptarësh që kryente vjedhje në fshatrat grekë të Igumenicës është shkatërruar sot nga Policia Shqiptare dhe ajo greke, që në bashkëpunim kanë mundësuar arrestimin e tre personave:Gëzim E, 40 vjeç, banues në Sarandë, drejtuesi i automjetit; Nel Sh., 28 vjeç, banues në Bulqizë dhe Alfred H., 34 vjeç, banues në Durrës. Një person i katërt është shpallur në kërkim. Pas një ndjekje të vështirë, policia ka arritur t’i kapë dhe t’u zbulojë edhe provat e fajësisë së tyre: makinën e përdorur për grabitjet, armë dhe fishekë dhe bizhuteri. Në operacionin e koduar “Përtej kufijve”, që u inicua nga Policia e Sarandës, mori pjesë: Policia Kufitare, Policia e Delvinës dhe Policia Kufitare Greke. Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë Kufitare, prej 48 orësh organizuan punën duke mbajtur nën vëzhgim gjithë territorin që lidhet me fshatrat grekë që kishin ndodhur vjedhjet. Më në fund, më datë 27.07.2017, rreth orës 7.20 të mëngjesit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip ”Toyota” ku udhëtonin tre shtetas dhe ky ishte mjeti që dyshohej se përdorej për vjedhjet në fshatrat e Igumenicës, Greqi. Policia e Sarandës është vënë në ndjekje të automjetit duke njoftuar Policinë e Delvinës, që ka ngritur menjëherë një pikë kontrolli në vendin e quajtur ”Ura e Gajdarit'”. Por, aty, drejtuesi i automjetit së bashku me shtetasit që ndodheshin me të, nuk i janë bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe janë larguar me shpejtësi më të madhe. Policia ka vijuar ndjekjen e automjetit deri në ”Qafë Gjashtë”, ku është bërë i mundur ndalimi i automjetit. Në momentin e ndalimit njëri prej shtetasve nxjerr nga makina një çantë dhe e hedh në anë të rrugës duke tentuar të largohet me vrap. Policia ka bërë kapjen dhe shoqërimin e tre shtetasve në Komisariatin e Policisë Sarandë , si dhe sekuestrimin e çantës dhe të automjetit. Nga verifikimet e para të kryera nga Policia, në automjet rezultuan të ishin shtetasit: Gëzim E., 40 vjeç, banues në Sarandë, drejtuesi i automjettit; Nel Sh., 28 vjeç, banues në Bulqizë dhe Alfred H., 34 vjeç, banues në Durrës. Nga kontrolli i ushtruar nga Policia në çantë dhe në automjetin tip Toyota ka rezultuar se kishte 2 armë zjarri pistoletë, një model ”TT” dhe një tjetër model ”Zastava”, 2 krehër pistolete me fishekë në brendësi; disa telefona celularë dhe bizhuteri të ndryshme Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim edhe me shtetasin K.B , i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë, janë autorë të dyshuar të vjedhjeve të kryera në fshatrat e Igumenicës, Greqi. Policia e Sarandës, në përfundim të veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin e shtetasve të sipërpërmendur me akuzat: “Vjedhjes, kryer në bashkëpunim”, Prodhim dhe armëmbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Policia e Shtetit njoftoi se po vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Greke për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ku dyshohet se është kryer nga personat e sipërpërmendur dhe shtetasi i shpallur në kërkim, si dhe për të identifikuar dhe kapur nëse ka ose jo persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal në fushën e vjedhjeve.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, NISIN FIRMAT E PARA ME EKIPIN
Artikulli tjetërVOTUAN PRO RRITJES SË ÇMIMIT TË UJIT, LSI PËRJASHTON 2 KËSHILLTARËT