Opozita e re i ka bërë një kërkesë Kuvendit për të ulur në tryezë të gjitha partitë politike për reformimin e sistemit zgjedhor. Nëpërmjet kërkese synohet që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet brenda korrikut dhe jo në nëntor, siç u miratua sot në planin e punës të Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Kërkesa është firmosur nga 38 deputetë të opozitës së re, me në krye Rudina Hajdarin. Hajdari, e cila është bashkryetare e Komisionit të Reformës deklaron se ndryshimi i sistemit zgjedhor, është një çështje prioritare për opozitën, që do t’i jepte fund mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike/shtetërore.

“Shumë të shqetësuar për problemet e rënda që sistemi zgjedhor në tërësinë e tij mbart. Mospërfaqësimi i vërtetë i popullit në organet e zgjedhura,përqëndrimi i pushtetit në një rreth të ngushtë personash, shit-blerja evotës, parti-zimi i procesit zgjedhor (administrimi politik/partiak i zgjedhjeve), barazia reale e votës qytetare, keq-përdorimi i burimeve shtetërore janë ndër problemet më themelore që duhet të adresohen përmes reformës elektorale.

Defiçencat e sistemit zgjedhor janë drejtëpërdrejtë defiçenca për “Demokracinë e Shtetin e së Drejtës”. Eventualisht këto janë pasoja tepër të dëmshme për qytetarët Shqiptarë, organizimin institucional e shoqëror në tërësi.

Nëse Shqipëria vuan nga largimi i popullsisë, mosbesimi i publikut në institucionet publike/shtetërore, gjendja statike e zhvillimit ekonomik…etj, kjo është përveç të tjerash edhe si shkak i problemeve të sistemit zgjedhor aktual.

Grupi Parlamentar Demokrat ka ndër objektivat e tij kryesore: “reformimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri” me synim forcimin e demokracisë, evropianizimin e procesit elektoral (në tërësinë e tij) rritjen e besimit publik në organet e zgjedhura, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve e të demokracisë aktive.

Në këtë drejtim 38 deputetë të opozitës nënshkruan një kërkesë ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe mazhorancës për të mbledhur një tryezë me forcat e ndryshme politike dhe shoqërinë civile për të hapur një diskutim të gjerë publik për reformimin e sistemit zgjedhor.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian prej kohësh kanë vendosur standardet e “mirëqeverisjes dhe qeverisjes së hapur” për të cilat Shqipëria e ka të pamundur të mos kalojë këto procese reformuese në rrugën e evropës, por Demokracia fillon tek vota dhe përfaqësimi, prandaj është detyrë e të gjithëve që në rrugë institucionale të japim kontributin tonë për këtë reformë tepër të rëndësishme”, shkruan Hajdari.

Artikulli paraprakSHQIPTARI KAPET ME KOKAINË,DËNOHET ME BURG DHE 20 MIJË EURO GJOBË
Artikulli tjetërI VENDOSI KUSHT GJERMANISË PËR DIALOGUN, SOT PROTESTA E GJASHTË E OPOZITËS, MISTER SKENARI