Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që sot më (3 shkurt) në orën 11:00, të mbahet seancën për votimin e Qeverisë së re.

Kjo mbledhje është vendosur të mbahet pas kërkesës së Albin Kurtit, të mandatuarit për kryeministër. Në rend të ditës është vetëm një pikë ajo për thirrjen e seancës plenare të Kuvendit për votimin e Qeverisë së re. Një ditë më parë është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rreth 4 muajsh negociata.

Krerët e dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa zotohen ta sjellin ndryshimin politik, të kërkuar nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit. Dy partnerët e koalicionit do të kenë nga 6 ministri dhe një zv/kryeministër, ndërsa 3 ministri do t’iu ndahen pakicave.

Kurti e Mustafa thonë se për çështjen kontestuese rreth Presidentit të ardhshëm të vendit do të dakordohen më vonë, ndërsa kryeparlamentari në detyrë nga Vetëvendosja do t’ia lëshojë vendin të zgjedhurit të LDK-së.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Me votimin e sotëm në Kuvend, Kurti pritet të udhëheq ekzekutivin më të vogël të Kosovës që nga pavarësia, me 2 zv/kryeministra, 15 ministra e 33 zv/ministra, derisa Qeveria paraprake kishte 21 ministra dhe 80 zv/ministra. Zgjedhjet e 6 tetorit sollën fitoren e ngushtë të dy partive opozitare, me ç’rast e para doli VV, ndërsa e dyta LDK.

Artikulli paraprakGARA PËR KREUN E FBI-SË SHQIPTARE, SOT DALIN EMRAT QË KALOJNË FAZËN E PARË PËR BKH-NË
Artikulli tjetërFA NDËRTOJNË URËN MBI LUMIN FAN, XHAÇKA: REFORMË NË LIGJ DHE INFRASTRUKTURË PËR EMERGJENCAT CIVILE (FOTO)