Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës, Bahri Shaqiri pas dekretit për lirimin nga detyra të komandantit të Forcave Detare ka reaguar duke sqaruar se kreu i shtetit Ilir Meta ka qenë i bindur se Ylber Dogjani nuk ka kryer asnjë shkelje prandaj nuk e shkarkoi më parë, por tani që sipas tij i mbaroi mandati.

Shaqiri thekson se një nga detyrat kryesore të Presidentit është edhe mbrojtja e integritetit të ushtarakëve nga presionet dhe lojërat politike duke sulmuar këtu ministrinë e Mbrojtjes që para 7 muajve i propozoi shkarkimin nga detyra të Dogjanit pas skandalit të vjedhjes së armëve në bazën e Pashalimanit. Në fund të reagimit të Metës përmes këshilltarit, ka edhe një kërkesë për ministrinë e Mbrojtjes, që pasuesi i Dogjanit që do të propozohet të jetë plotësisht i karrierës në Forcat Detare duke lënë të nënkuptohet se edhe mund ta refuzojë nëse nuk do ta bindë.

“Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani është shkarkuar nga detyra e Komandantit të Forcave Detare, vetëm për shkak të mbarimit të mandatit. Lirimi i tij nuk ka lidhje me asnjë pretendim tjetër, të ngritur dhe në disa media, se shkarkimi gjoja lidhet me shkelje ligjore. Presidenti i Republikës nëse do kishte patur bindjen për një shkelje ligjore sado të vogël nga Gjeneral Major Dogjani, do e kishte shkarkuar atë menjëherë, dhe jo kur të plotësonte afatin e tij në krye të Forcave Detare.

Presidenti Meta shpreson se pasuesi i Gjeneral Major Dogjanit i cili do t’i propozohet në këtë detyrë, jo vetëm të ketë integritetin e duhur, por të jetë plotësisht i karrierës në Forcat Detare. Një nga detyrat kryesore të Presidentit është edhe mbrojtja e integritetit të ushtarakëve nga presionet dhe lojrat politike” shkruan këshilltari i Presidentit.

Pas vjedhjes së armatimeve në Pashaliman në 11 janar të këtij viti, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nisi një hetim administrativ dhe doli në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen ishte i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani. Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, iu ngarkua komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.

Gjithashtu Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i propozoi Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani. Propozimi qëndroi 7 muaj mbi tryezën e Presidentit dhe Ilir Meta nuk veproi deri kur sipas tij i mbaroi mandati duke mos e shkarkuar me motivacionin që i kërkoi ministria e Mbrojtjes, por për mbarim mandati.

Artikulli paraprakRAMA: ‘MIGJENI’ NË VJESHTË NIS FLUTURIMET DREJT ITALISË, TANI NA SHANI QË MOS NA MARRIN MË SYSH
Artikulli tjetërANTI-INFORMALITETI/ LIROHEN PLAZHET E ZAPTUARA, NË HETIM DREJTORËT E TATIMEVE NË DURRËS DHE LEZHË