Klubi Vllaznia, vetë trajneri Agim Canaj apo edhe drejtues të tjerë nuk kanë bërë asnjë lloj denoncimi në policinë vendore të Shkodrës lidhur me kërcënimin e trajnerit Canaj tre ditë më parë.

Kjo situatë nga ana e klubit dhe vetë bashkisë vazhdon që të lihet në heshjte duke mos patur reagimin e duhur edhe pse është një ngjarje e rëndë e cila përsëritet për të disatën herë të paktën në 3-4 vitet e fundit.

Kërcënimet dhe presionet tek Vllaznia kanë nisur ashpërsisht që me ish-trajnerin Armando Cungu. Disa herë me radhë gjatë drejtimit të Vllaznisë nga ana e tij Cungu është kërcënuar teksa kanë hyrë në fushën e stërvitjes me armë apo edhe në dhomat e zhveshjes.

Më pas kjo histori është përsëritur edhe me ish-trajnerin Ernest Gjoka i cili është kërcënuar ndërsa edhe është goditur teksa po dilte nga stërvitja një ditë më parë. Tek Vllaznia erdhën drejtues të rinj, administrator Suad Lici, drejtori turk Engin Firat dhe stafi i ri teknik.

Kërcënimet dhe presionet vijuan pa ndërprerje edhe ndaj drejtuesve të rinj duke përfshirë edhe ish-trajnerin Hasan Lika i cili për të shmangur zhurmën u detyrua që disave t’i hapë rrugë. E njëjta histori skandaloze përsëritet me trajnerin e sapoardhur Agim Canaj.

Ende pa mbushur 10 ditë në Shkodër tekniku Canaj u kërcënua dy herë. Fillimisht para ndeshjes dhe gjatë ndeshjes me Besëlidhjen dhe më pas para seancës stërvitore të para tre ditëve. Kjo bërë që atë ditë por edhe dje të mos zhvillohet fare stërvitje duke qenë se fillimisht Canaj dha dorëheqjen.

Pas kësaj u bënë disa takime dhe trajneri Canaj përflitet se është bindur për të qëndruar në Shkodër por ende kjo nuk është zyrtare. Vllaznia është rikthyer në seancat stërvitore por sot trajneri Canaj ka munguar pasi ka udhëtuar drejt Anglisë atje ku jeton vajza e tij.

Klubi Vllaznia e pret që të vijë të hënën por s’do ishte çudi nëse trajneri i ndodhur nën kërcënim të marrë një vendim tjetër.

Artikulli paraprakU KAPEN ME MINA, SHPËRTHEJNË NË LOT PARA GJYKATËS
Artikulli tjetërRIATDHESOHEN 50 SHQIPTARË NGA FRANCA