Dita e sotme parashikohet të jetë e ngarkuar me lëvizjen e automjeteve në qytetin e Laçit, pasi 12 qershori është e marta e fundit e pelegrinazhit në Kishën e Shën Andonit.

Andaj, policia ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e situatës, ndërsa bën edhe një njoftim të rëndësishëm për drejtuesit e mjeteve.

Për të garantuar sigurinë e qytetarëve, si dhe mbarëvajtjen e pelegrinazhit, Policia e Lezhës nuk do të lejojë sot dhe nesër lëvizjen dhe parkimin e mjeteve në disa rrugë.

– Nga ora 08:00 datë 12.06.2018 – ora 24:00 datë 13.06.2018, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:
” Nga Kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout ”
” Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”
” Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”
“Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore ,mjetet e emergjencave civile , zjarrëfiksja, ambulanca dhe policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

– Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.

– Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.

– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve .

13 te martat nisen me 20 mars 2018 dhe sipas besimit të krishterë mrekullitë kulmojnë mes datës 12 dhe 13 qershorit.

Pelegrinë nga i gjithë vendi. Të bindjeve dhe religjioneve të ndryshme ngjiten në malin e shenjtë të Shna Ndout, (ku gjendet edhe Kryqi në majën më të lartë) në shenjë sakrifice, falenderimi dhe lutjeje për t’ju plotësuar dëshirat.

Sipas besimit të krishterë, një pelegrinazh i tillë praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeje a falenderimi që i dërgohet këtij shenjtori, i cili njëherësh bën edhe mrekulli.

Të moshuarit, tregojnë se ritualin e 13 të martave e kanë ndjekur edhe në kohën e regjimit, kur besimi në Zot ishte i ndaluar.

Artikulli paraprakPLAZHET E LEZHËS PA KULLA VROJTIMI
Artikulli tjetërERALD ÇINARI I JEP LAMTUMIRËN VLLAZNISË