Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani në një deklaratë për mediat u shpreh sot se shkak ka qenë mungesa e hapësirës.

Biblioteka Kombëtare shpalli dje gjendjen e emergjencës, pasi nga shiu që ra në datë 23 qershor u përmbyt, ndërsa u dëmtuan rreth 12 mijë botime, libra dhe materiale të tjera. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani në një deklaratë për mediat u shpreh sot se shkak ka qenë mungesa e hapësirës.

Sipas saj, Biblioteka Kombëtare është jashtë cdo standardi, ndërsa zgjidhja është ndërtimi i një godine të re. Përsa i përket rastit të fundit, Asllani thotë se nuk ka pasur rrjedhje anësore, por lagështirë në dysheme, ndërsa pritet ekspertiza e Institutit të Ndërtimit.

Numri i njësive të prekura nga lagëshitra është 12 mijë. 75% janë tharë, po punohet për pjesën e mbetur. Natyra e teksteve të lagura është e 15 viteve të fundit, libra shkollorë, letërsi, të cilat për shkak të mungesave të hapësirë nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve. Puna që po kryhet bazohet te udhëzuesit profesional botëror.

Punohet me shpejtësi, ka një sasi pune të konsiderueshme. Janë marrë masa për vendosjen e materialeve në një mjedis të thatë, me aspirim, kemi hapur dritaret dhe kemi përdorur ventilator apo edhe tharëse flokësh. Situata është tërësisht nën kontroll. I jemi drejtuar strukturave institucionale për ekspertizën se çfarë ndodhi.

Nuk ka rrjedhje uji anësore, por lagështirë te dyshemeja. Biblioteka nuk është në standardet e duhura. I jemi drejtuar Institutit të Ndërtimit për të sjellë ekspertizën e tyre. Kemi nisur marrëdhëniet e punës me ata, presim që të thellohet dhe të kemi një ekspertizë. Sot erdhi drejtori i Institutit, që nesër do të fillojmë me grupin e punës. Unë përgjigjem për emergjencën dhe sikur e shikoni, 100 persona punojnë natë e ditë për t’i bërë sa më të lehta dëmet.

Zgjidhja afatgjatë do të ishte një bibliotekë e re. Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të mendojë për një vendim shumë të rëndësishëm për një bibliotekë për qytetin. Situatë e rënë ku është lënë trashëgimia është përgjegjësi e të gjithëve.

Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri 30 qershor. Kujtojmë që në datë 15 mars 2017, Biblioteka Kombëtare u përfshi nga flakët, zjarri ra në katin e nëndheshëm, ku u dëmtuan disa materiale, ndërsa para tre ditësh e njëjta hapësirë u përmbyt nga reshjet e shiut.

Artikulli paraprakARTA MARKU NË ‘FILTRAT’ E VETTINGUT
Artikulli tjetërISHIN KTHYER NË BAZA DROGE, SEKUESTROHEN 2 RESTORANTE DHE BARI I SHQIPTARËVE