Filmi shqiptar që është përzgjedhur për të garuar për një nominim në cmimet Oscars është “A cup of coffee and new shoes on”, me skenar dhe regji nga Gentian Koçi. Ai do të ketë përballë filmat e shteteve të tjera për një vend në kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”. Sipas deklaratës së QKK, filmi u përzgjodh midis dy prodhimeve të tjera të këtij viti: “Njëri prej nesh” nga regjisori Ergys Meta dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nga Fatmir Koçi. Kjo nuk është hera e parë që autori Gentian Koçi përfaqëson Shqipërinë në garën e çmimeve Oscars. Në vitin 2018 ai ishtë kandidatura zyrtare e Shqipërisë me filmin e tij debutues me metrazh të gjatë, “Dita zë fill”, film i cili u prezantua dhe përzgjodh në mbi 50 festivale në të gjithë botën.

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” (i përkthyer) është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK), Radio-Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës, si dhe është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).

“A cup of coffee and new shoes on” tregon historinë e dy vëllezërve binjakë të cilëve u duhet të përballen me një sëmundje të pashërueshme. Në rolet kryesore janë dy aktorët e njohur portugezë Edgar Morais dhe Rafael Morais. Filmi sjell dhe debutimin e aktores shqiptare Drita Kabashi.

Kategoria e “Filmit më të mirë të huaj” në Oscars është konsideruar gjithmonë një fitore e shtetit më shumë se sa e vetë filmit. Vendi i huaj më i vlerësuar është Italia, me 14 çmime të fituara (përfshirë 3 çmime speciale) dhe 29 nominime, ndërsa Franca është vendi i huaj me më shumë nominime (37 për 12 fitore, duke përfshirë 3 çmime speciale). Izraeli është vendi i huaj me më shumë nominime (10) pa fituar asnjë çmim, ndërsa Portugalia ka më shumë aplikime (34) pa nominim. Në vitin 2020, përfaqësuesi i Koresë së Jugut, filmi “Parasite” u bë fituesi i parë ndërkombëtar i filmit artistik dhe filmi i parë jo-anglisht-folës në përgjithësi, që fitoi gjithashtu në kategorinë e “Filmit më të mirë”.

Artikulli paraprakKRIZA ENERGJITIKE, QEVERIA GREKE 5.5 MILIARDË EURO NDIHMË PËR QYTETARËT
Artikulli tjetërBEGAJ LETËR NGUSHËLLIMI MBRETIT CHARLES III: MBRETËRESHA E PËRKUSHTUAR DERI NË ÇASTET E FUNDIT PËR BRITANINË!