Një i burgosur ka ndërruar jetë gjatë rrugës kur po transportohej për në spitalin e burgut në Tiranë. A.Kapllanaj, 30-vjeç vuante dënimin te burgu 313 në kryeqytet. Pas komplikacioneve në orët e para të ditës së sotme, ai është dërguar me urgjencë në spitalin e burgut.

Por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve për t’i dhënë ndihmën e parë, 30-vjeçari ka ndërruar jetë rreth orës 08:30. Në një njoftim të shpërndarë për mediat,

Drejtoria e Burgjeve ka sqaruar se Kapllanajt iu dha ndihma e parë nga dy ndihmës mjekë që në qelinë e burgut, por gjatë transportimit për në urgjencë gjendja e tij është përkeqësuar dhe për rrjedhojë humbi jetën.

Paraprakisht mjekët mendojnë se i paraburgosuri ka kaluar një infarkt miokardi.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Në datë 21 mars 2018, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale 313 në Tiranë, shtetasi me inicialet A.Kapllanaj., 37 vjeç, me masë sigurie “Arrest me burg”, ka humbur jetën teksa transportohej për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”,ku ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Mëngjesin e sotëm ky shtetas është paraqitur në kuzhinën e IEVP, pasi punonte aty si ndihmës kuzhinier. Rreth orës 07:45 ai është kthyer në dhomën e tij, duke u shprehur se nuk ndihej mirë.

Rreth orës 08:25 punonjësi i sigurisë së sektorit ka njoftuar stafin shëndetësor se i paraburgosuri nuk ndihej mirë dhe menjëherë në dhomën e tij kanë shkuar dy ndihmësmjekë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore.

Pak minuta më pas shtetasi A.K. është nisur me urgjencë për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, por ka humbur jetën gjatë rrugës.

Paraprakisht mjekët mendojnë se i paraburgosuri ka kaluar një infarkt miokardi. Ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së shtetasit A.K.

Referuar informacioneve të shërbimit mjekësor të burgut dhe verifikimit të kartelës së tij klinike rezulton se ky shtetas nuk ka paraqitur probleme shëndetësore që nga momenti i ardhjes në IEVP e deri në ditën e sotme.

Artikulli paraprakVJEDHIN MAKINËN E POLICIT, E PËRPLASIN GJATË ARRATISJES
Artikulli tjetërGAZ LOTSJELLËS NË SEANCË PËR PENGIMIN E DEMARKACIONIT