
Kryetari i Bashkise Lezhë, Pjerin Ndreu, u është përgjigjur me ironi kritikave dhe memeve në rrjetet sociale pas pranisë së ujit në disa akse të qytetit gjatë reshjeve të shiut.Në një reagim në Facebook, Ndreu i cilëson kritikët si “të dashuruar pas përmbytjeve”, ndërsa pretendon se uji u largua brenda 30 minutash, edhe pse investimi në sistemin e kullimit nuk ka përfunduar ende dhe stacioni i ri i pompave nuk është vënë në funksion.
“Për korin e të dashuruarve pas përmbytjeve dhe matufet e zhvillimit. Çfarë dalldie për 30 minuta ujë në qytet! Foto, britma, analiza dhe festë për “dështimin”! Aq shumë u gëzuan, sa harruan që uji iku më shpejt se entuziazmi i tyre!
Po a e dini që investimi ende nuk ka përfunduar dhe stacioni i ri i pompave nuk është vënë në punë?!Sigurisht që e dini! Por po ta pranoni, ju prishet festa!Me sa duket, mezi prisni të bjerë shi, jo për të parë si funksionon sistemi, por për të shpalosur gjithë talentin tuaj për të hedhur helm!
Por një pyetje kam, Nëse uji largohet për 30 minuta, pa hyrë ende në punë stacioni i ri i pompave, kjo është dëshmi suksesi apo dështimi?!Dështimi juaj është se keni mbetur duke kërkuar shpresë politike te çdo pikë shiu, te ndonjë vatër mbetjesh, apo te ndonjë fëmijë që thyen xhamat e shkollës apo që hypën siper librit të Fishtë ndërsa ju ekzaltoheshit rrotull! Vizion qe i kishte mungu Lezhes apo jo! Banorëve u themi se po përfundojmë një investim që do t’i kthejë përmbytjet në një histori të arkivuar. Ndërsa “madhështorëve” u themi, Mbajeni gazin deri më 9 maj! Se atë ditë mund të mos gjeni as një pikë ujë për të freskuar kokën nga rezultati! Dhe mos harroni, stacioni i ri i pompave do të thithë ujin, por me sa duket edhe shpresën tuaj të fundit politike! Ne ndërtojmë zgjidhje. Ju vazhdoni lutjet për shi! shkruan Ndreu.


