Policia greke zbulon rrjetin shqiptaro – grek .Merrej me trafikun e drogës dhe të armëve.

Një rrjet shqiptaro – grek që merrej me trafikune drogës dhe armëve nga Shqipëria në Greqi është zbuluar nga policia greke. Grupi zhvillonte aktivitetin kriminal në Selanik. Policia greke thotë se ka zbardhur strukturën e një organizate kriminale që trafikonte drogë dhe armë nga Shqipëria në Greqi. Organizata vepronte në rajonin e Selanikut. Sipas policisë, organizata përbëhej nga katër shtetas grekë dhe katër shtetas shqiptarë. Pasi ka shqyrtuar ngjarjet e disa muajve më parë, të lidhura me njera-tjetrën, Shërbimi i antidrogës ka mundur vetëm ditët e fundit të identifikojë tërë pjesëtarët e organizatës dhe të dërgojë dosjet e tyre në prokurori. Katër prej anëtarëve, që të gjithë shtetas grekë, ishin arrestuar në dy operacione të njëpasnjëshme. në muajin qershor. Pas hetimeve, policia ka verifikuar lidhjet e tyre me drejtuesin e grupit, një shtetas shqiptar, i cili ishte arratisur nga qelitë e gjykatës së Selanikut në muajin maj. Pas bashkëpunimit me policinë shqiptare, ky ishte arrestuar në Shqipëri, në muajin gusht. Bashkë me të ishte arrestuar edhe një bashkatdhetari i tij, gjithashtu pjesëtar i organizatës, sipas policisë, atyre iu ishin gjetur dhe sekuestruar 3 kallashnikovë, një pistoletë, 318 fishekë dhe 3,3 kg kanabis. Në dosjen që u dërgua të hënën në prokurorinë e Selanikut, organizata akuzohet se ka futur në Greqi të paktën 48 kg kanabis, si dhe 1 kallashnikov dhe një granatë.

Artikulli paraprakLUFTA KUNDER EKSTREMIZMIT,TRYEZE MES AKTOREVE PUBLIKE E JOSHTETERORE
Artikulli tjetërSHEMBEN GURE NE GALERI,PLAGOSET RENDE MINATORI 30 VJEÇAR