
Dhjetë persona me aftësi të kufizuara janë punësuar deri më tani përmes projektit POWER, një nismë që synon të rrisë mundësitë e punësimit dhe integrimit të kësaj kategorie në shoqëri. Rezultatet u prezantuan gjatë një panairi punësimi, ku u diskutua mbi vështirësitë që hasin këta persona në tregun e punës, si dhe nevojën për krijimin e mundësive të barabarta.
Gjatë aktivitetit, Nersada Mandija, nëpunëse e Antenës së Sekretariatit të Përbashkët Teknik, vuri theksin te rëndësia e vijimësisë së programeve të mbështetura nga IPA III, për të garantuar qëndrueshmërinë e nismave të tilla.
Projekti POWER ka në fokus punësimin, rehabilitimin profesional dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara në zonën ndërkufitare.
Panairi bëri bashkë përfaqësues të bizneseve, institucioneve vendore, zyrave të punësimit dhe organizatave që mbështesin këtë kategori. Takimi synoi të nxisë bashkëpunimin mes aktorëve të ndryshëm dhe të promovojë praktika konkrete që lehtësojnë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.


