Edhe gjatë këtij sezoni veror që nis edhe pak kohësh rruga Shkodër-Velipojë do të vazhdojë që të qëndrojë e amortizuar në disa pjesë të saj.

Në gjatësi të ndryshme derisa përfundon në plazhin e Velipojës rruga është e dëmtuar pavarësisht disa ndërhyrjeve për mbylljen e gropave. Ky segment është ndër më të rëdësishmit në vend përsa i përket të paktën muajve të sezoni turistik sepse numri i pushuesve të huaj apo edhe atyre vendas është mbi 100 mijë në disa raste edhe brenda ditës.

Duke patur parasysh këtë fluks lëvizjesh çdo ditë rruga Shkodër-Velipojë kërkon që të jetë në një gjendje tjetër dhe jo siç është lënë gjatë viteve të fundit. Gjatë vitit të kaluar Autoritet Rrugor për Veriun akordoi një shumë për mirëmbajtjen e këtij aksi dhe nisi puna për disa ndërhyrje të vogla siç është mbyllja e gropave. Kjo është e pamjaftueshme për të siguruar një udhëtim komod për mijëra pushues vendas e të huaj që gjatë muajve të nxehtë në sezonin e verës do të zgjedhin plazhin e Velipojës. Amortizimi i segmentit sjell rrezikshmëri për shoferët, aq më shumë për ata që mund të vijnë për herë të parë.

Mjafton të shihet në këtë rast edhe numri i aksidenteve në rrugën Shkodër-Velipojë për të treguar rrezikshmërinë. Nga ana tjetër përveç dëmeve në gjatësi të ndryshme, rruga e Velipojës ka mungesë të theksuar edhe përsa i përket sinjalistikës apo edhe mbrojtësve anësore. Në atë aks sinjalistika rrugore mungon në shumë pjesë duke sjellë vështirësi për shoferët.

Me rrezik është edhe mungesa e mbrojtësve anësore dhe fare thjeshtë mjetet motorike mund të përfundojnë në kanale. Velipoja, ndonëse një aset me perfitime ekonomike të konsiderueshme prej vitesh vuan mungesën e segmentit rrugor. Prej afro 12 vitesh që kur është ndërtuar asnjëherë nuk është menduar për një rikonstruksion serioz vuajtje e cila për shoferët do jetë edhe gjatë këtij sezoni.

Artikulli paraprakRËNDITJA E FIFA-s, NUK NDRYSHON SHQIPËRIA
Artikulli tjetërDREJTUESIT E VLLAZNISË KËRKOJNË VENDIN E 4-t