Pas Kishës katolike, edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë apelon për një marrëveshje veprimi mes qeverisë dhe studentëve.

Përmes një mesazhi të bërë nga Pastor Ylli Doçi, Kryetari i VUSH, aktorët e shumtë të shoqërisë dhe qeverisë, inkurajohen të mobilizohen për qartësim hapash drejt zgjidhjes me mirëkuptim, dashamirësi dhe përkushtim.

“Ne jemi të vetëdijshem që rrënjët e problemeve të shumta të cilat motivojnë këtë protestë, lidhen me sëmundje të ndryshme që kanë mbërthyer prej kohësh shoqërinë shqiptare dhe nuk mund të presim një prekje të një shkopi magjik nga ky vrull rinor të shërojë gjithçka,

por presim që standardet e duhura që duhet të sanksionohen në reflektim të kërkesave legjitime të rinisë, do të bëhen një pikë referimi për të adresuar në thellësi problemet që vijnë nga padrejtësi dhe përdhosje të vlerave në aspektet e tjera të jetës së shoqërisë shqiptare.

Zëri i rinisë, tani, duhet përkthyer në marrëveshje veprimi dhe ne inkurajojmë aktorët e shumtë të shoqërisë dhe qeverisë, të mobilizohen për qartësim hapash drejt zgjidhjes me mirëkuptim, dashamirësi dhe përkushtim”, thuhet në mesazhin e përcjellë të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Artikulli paraprakMASAKRA NË ISH-BLLOK, ARRESTOHET NJË NGA TË KËRKUARIT
Artikulli tjetërNJIHUNI ME SHKRIMTARIN E MADH QË REFUZOI PARATË E ÇMIMIT NOBEL