Partia Socialiste e Shkodrës prezantoi platformën e tetë kandidatëve për kryetar të PS në praninë e Komisionit të ngritur për këtë proces dhe drejtueses politike të PS të qarkut Shkodër Edona Bilali. Të gjithë kandidatët mbajtën fjalimet e tyre duke treguar edhe platformën dhe vizionin për drejtimin e PS Shkodër. Një prej kandidatëve i cili publikoi të plotë fjalimin e tij duke treguar problemet reale të PS Shkodër por edhe se cila mund të jetë zgjidhja që PS të jetë fituese pas një viti në zgjedhjet vendore është Erion Metushi, aktualisht kryetar i FRESSH Shkodër. Ja se çfarë shkruan kandidati Metushi në disa pjesë të fjalimit të tij të plotë që mbajti:

“Partia Socialiste Shkodër nuk mund të jetë më një guackë e mbyllur e një klani personash siç mund të ketë qenë në këto 30 vite në momente të ndryshme. Nuk mund të funksionojë një kryetar partie vetëm për të punësuar 10 vetë e për të hequr 10 të tjerë. Nuk mund të jetë Partia Socialiste Shkodër gjithmonë shqetësimi i përhershëm në zyrën e kryeministrit, “ke po vejmë drejtor, ke po bajmë deputet, unë du këtu, unë du aty” por as nuk duhet ta lejojë një kryeministër që Shkodrën ta lërë në fund të oborrit se vetë ne nuk jemi një dorë e bashkuar. Nëse ne mbyllim sytë dhe dalim këtu për të folur me fjalë të bukura atëherë jemi si ai i sëmuri që kujton se pa u shëruar mund të ecë.

Kjo është një prej arsyeve përse jam këtu!
Partia Socialiste Shkodër ka nevojë për një kryetar përbashkues të munguar prej shumë kohësh, ka nevojë për një zë të fuqishëm, ka nevojë për një kryetar që të jetë aty për të respektuar nga i pari tek i fundit duke organizuar punën siç duhet e për ta bërë këtë parti që të njohë fitoren.

Etja për pushtet na ka errësuar sytë, jemi kthyer në robotë politikë duke humbur ndjenjat njerëzore, po bëhemi viktima të një mekanizmi që i ka kaluar koha duke harruar se partia është një bashkim vullnetar personash që kanë një qëllim të përbashkët por natyrshëm me mendime të ndryshme.

Imponimi i një ideje na çon drejt ASKUNDIT!

Në zgjedhjet vendore të fundit fatkeqësisht PS Shkodër nuk fitoi as përballë një PD-je të përçarë, të ndarë në dy pjesë. Kjo humbje ashtu si çdo socialisti shkodran më ka munduar pafund gjatë gjithë kësaj kohe dhe ka qenë një tjetër arsye e fortë që më ka shtyer të kandidoj në mënyrë që të gjithë bashkë ti japim një hov të ri PS Shkodër dhe t’a shpallim fituese në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato parlamentare më vonë.

Por kjo punë bëhet duke mos u fshehur pas gishtit!

Nuk mund të jemi hija e askujt”, janë disa prej pjesëve të fjalimit të kandidatit Metushi.

Pjesë e kësaj gare janë edhe kandidatët e tjerë për kryetar të PS Shkodër, Vjollca Vuçini, Arbis Vjerdha, Hilmi Lakti, Paulin Ndoja, Rudi Sokoli, Mirela Dodaj dhe Valdo Dibra të cilët po ashtu shpalosën platformën e tyre duke treguar idetë se si do ta drejtojnë PS Shkodër në rast se shpallen fitues.

Artikulli paraprakSHKODËR, KULTIVONIN BIMË NARKOTIKE, 6 TË ARRESTUAR DHE 8 TË TJERË NË KËRKIM
Artikulli tjetër‘TË PËRBASHKUAR’, LOGOJA DHE SIMBOLET E MBLEDHJES SË 8 TË PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË