Policia e Pukës ka arrestuar tre shtetas të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike ndërsa ka proceduar edhe një kryeplak.

Kështu në pranga kanë rënë shtetasit Fatjon Lleshaj 28 vjeç banues në Fushë Arrës, Anton Marku, 28 vjeç dhe Edmir Marku 37 vjeç banues që të dy në Laç ndërsa është proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Arat në Fushë Arrës shtetasi me inicialet M.M 61 vjeç për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Policia në njoftimin e saj bën të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Arat” për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve duke sekuestruar drogë por edhe armë dhe municion luftarak.

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, janë arrestuar në flagrancë tre shtetasit Anton Marku, Edmir Marku dhe Fatjon Lleshaj për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe i municionit”.

Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë, pasi gjatë kontrollit të territorit të ushtruar në fshatin Arat e Mira, Fushë-Arrëz, në një zonë të pyllëzuar, policia ka gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 kilogramë lëndë narkotike, disa bimë të kultivuara, një armë zjarri automatike dhe municon luftarak.

Gjatë kontrollit policia ka kapur në flagrancë në vendin ku u gjet lënda narkotike tre shtetasit e lartpërmndur.

Aksionet e policisë për goditjen e atyre që kultiviojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike do të vijojë sërish me synim minimizimin e këtij fenomeni që vijon të jetë një shqetësim në zonat e veriut të Shqipërisë, kryesisht Shkodër dhe Pukë.

Artikulli paraprakMALI HEBE, FSHATI QË KA MBETUR ME 150 BANORË
Artikulli tjetërARRESTOHEN DY ‘SKIFTERAT’ E LEZHËS, VODHËN 60.000 LEKË