Reshjet e dëborës të rëna dy ditët e fundit në Qarkun Shkodër kanë sjell mbylljen e disa shkollave. Sipas Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër, në Bashkinë Vau Dejës nuk kanë vijuar mësimin këtë të martë dy njësi administrative, Shllak dhe Temal, në asnjë prej shkollave.

Në Bashkinë Shkodër nuk kanë zhvilluar mësim asnjë shkollë në njësitë administrative Pult dhe Shosh.

Përderisa, mësim nuk është kryer edhe në një shkollë në Njësinë Administrative Velipojë dhe në dy shkolla të tjera në Njësinë Administrative Bushat në Vau Dejës.

Në këto shkolla nuk është kryer mësim për shkak të moslëvizjes së arsimtarëve drejt destinacioneve dhe mungesave të theksuara të nxënësve.

Nuk ka një njoftim zyrtar nga Ministria e Arsimit për hapjen e këtyre shkollave, megjithatë Tirana shprehet se mësimi do të zëvendësohet në javët në vijim.

Dëbora e rënë në ditët e fundit ka sjell kaos në shumë njësi administrative. Trashësia në zonat malore ka bërë që nxënësit të mos kenë mundësi të udhëtojnë drejtë shkollave. Kjo, duke marrë parasysh edhe largësinë e një pjese të shkollave.

 

Artikulli paraprakGJURAJ: JEMI NË GATISHMËRI PËR SITUATËN
Artikulli tjetërKURSI SOCIO- POLITIK NË BIBLIOTEKËN E QYTETIT