Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan ka dënuar deklaratat fyese të historianit turk Talha Ugurluel ndaj figurës së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

E mbledhur me kërkesë të komunitetit mysliman, QBNF e ka cilësuar ngjarjen një akt të rëndë e shumë të shëmtuar. “QBNF dënon aktin e rëndë e shumë të shëmtuar që një i ashtuquajtur “historian” turk guxon të shpifë ndaj figurës sonë kombëtare tepër të ndritur, Gjergj Kastrioti Skëndërbeut”, thuhet në një deklaratë për shtyp. Në emër të katër komuniteteve fetare shqiptare, QBNF ka shprehur indinjatën e saj për këta individë, “që tentojnë të denigrojnë figurat tona kombëtare”. “Deklarata të tilla, të bëra qoftë edhe nga të ashtuquajturit historianë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxisin reminishenca mesjetare për të armiqësuar popujt me njëri-tjetrin, pikërisht në këto kohë të vështira”, vijon deklarata. Qendra i kërkon institucioneve shtetërore të jenë më të kujdesëshme për parandalimin e akteve të tilla e të mos lejojnë askënd që të denigrojë figurat dhe simbolet kombëtare.