Kur priten edhe pak ditë nga përfundimi i Komisionit Hetimor për Inceneratorët, sot do të dëshmojë në komision në orën 12:00, kryeministri Edi Rama. Vetë kryeministri Rama dje nga Durrësi, tha se me këtë komision u krijua mundësia për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë.

“Me atë komisionin të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë. E vërteta është diçka krejt tjetër, pasi s’po flas më gjatë për këtë se mezi pres që të shkojë nesër. Po s’patët ndonjë gjë më të mirë për nesër, më ndiqni”, tha Rama.

Opozita ka përdorur si kartën e saj më të fortë në betejën opozitare hetimet për inceneratorët, që i quan një aferë kriminale. Nga ana tjetër Lulzim Basha pak ditë më parë, kërkoi përkushtimin e deputetëve dhe që të sigurohen të kenë vëmendjen maksimale ditën që do të dëshmojë në komisionin hetimor Kryeministri Rama.

‘Anëtarët e Komisionit të Hetimor të Inceneratorëve kanë bërë një punë të mirë. I kanë vendosur para përgjegjësive të gjithë personat që janë thirrur për të dëshmuar. Kjo është një vjedhje e madhe, vjedhja e shekullit, ndaj qytetarët duhet ta mësojnë se ku kanë shkuar 430 milionë euro që kanë dalë nga xhepat e tyre.

Ndërkohë duhet të trajtohet me kaq përkushtueshmëri edhe pjesa e mbetur e punës për inceneratorët. Duhet të sigurohet që të jetë e gjithë prezenca e mediave kur të vijë të dëshmojë Edi Rama dhe deputetët, të jenë të përgatitur mirë.’, është shprehur kryedemokrati Basha para deputetëve.

Para komisionit hetimor deri tani kanë dëshmuar emra shumë të lartë të qeverisë socialiste, si ministrja Belinda Balluku, ministri Arben Ahmetaj, ministri Damian Gjiknuri, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Po ashtu dëshmi para komisionin ka dhënë edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja si dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.

Artikulli paraprakHIQET KARANTINA/ ITALIA LEHTËSON MASAT KUNDËR COVID, JA ÇFARË DUHET TË DINË QYTETARËT QË UDHËTOJNË DREJT KËTIJ SHTETI
Artikulli tjetërALTERNIME KTHJELLIMESH DHE VRANËSIRASH, NJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR SOT