Ish-kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, i cili u shkarkua nga kryeministri, Edi Rama për shkak të sulmeve të ndodhura tre ditë më parë në KZAZ nr.6 në Bushat, është thirrur sot nga Policia e Shkodrës, për t’u pyetur mbi incidentin e rëndë në shkollën “Ndre Mjeda”.

Pasi është thirrur në polici ai ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen e KZAZ nr.6, ku është shprehur se nuk ka qenë në dijeni se çfarë është bërë në këtë KZAZ. Ai gjithashtu ka thënë se me dy dëshmitarë të tjerë kanë qenë në një vend tjetër larg nga vendi i ngjarjes. Pas marrjes në pyetje ai është larguar nga policia.

Kujtojmë se në datën 27 qershor rreth 250 militantë të Partisë Demokratike i vunë flakën me bomba molotov KZAZ-së nr. 6 e cilia ishte e vendosur në palestrën e shkollës profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat, të bashkisë së Vaut të Dejës. Bashki kjo që drejtohet nga Zef Hila i zgjedhur nga PD-ja. Nga sulmet e organizuara nga militantët e opozitës KZAZ-ja ka shpërthyer në flakë ku brenda saj janë shkatërruar materialet e votimit, e për pasojë la të plagosur tre efektivë të Policisë së Shtetit.

Në lidhje me këtë ngjarje ndaj KZAZ-së numër 6, policia ka shoqëruar 9 persona, militantë të PD-së, dhe vijon punën për kapjen e autorëve të tjerë. Kodi Penal i dënon krimet zgjedhore nga 1 deri në 5 vite burg. Ndërsa për vetë Hilën kryeministri Rama firmosi një shkresë për ta shkarkuar nga detyra dhe për ta ndjekur penalisht.

Artikulli paraprak“DËSHMOJ’’, LIBRI I SHKRUAR ME LOTË
Artikulli tjetërNESËR ZGJEDHJET, DEPUTETI GJERMAN: DHUNA DËMTON PROGRESIN E SHQIPËRISË NË BE