Nga rubrika “Përgjigjja ime” në Facebook, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë si e bindi ish-ministrin e Financave të PD, Ridvan Bode që të pranonte propozimin për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Reagimi i kreut të qeverisë ka ardhur pas një komenti të një ndjekësi në rrjetin social, i cili i drejtohet Ramës se me emrin e Ridvan Bodes po bën diverson ndaj demokratëve.

Ndërsa Rama rendit arsyet e propozimit të Bodes dhe thekson se komunikimi i tij i vetëm me ish-ministrin e PD ka qenë përmes një mesazhi telefonik, të cilit Bode, siç shprehet Rama, i është përgjigjur pozitivisht. Kryeministri thekson se pas daljes së emrave zyrtarë, PD e shpalli tradhtar ish-ministrin e saj të Financave.

“O Ismet, more Ismet, Ridvan Boden e kam takuar vetëm njëherë në jetë, pa asnjë lidhje me politikën, kur ishte deputet i thjeshtë. Shumë kohë më pas kur në kabinet po përgatismin propozimet e qeverisë për tre anëtarët, i kam çuar një SMS interesimi për kandidaturën e tij.

Ish-ministri i financave për shumë vite i është përgjigjur pozitivisht. Kur dje emrat dolën rezultatet zyrtare, Bode u shpall tradhtar nga partia e tij. Kadrizmi politik i SHQUP është shtrirë me shpejtësi edhe në këtë faqe ku ti Ismet më ke përcjellë mua përveç ngjyrave ‘flamurnokiste’ të fjalorit ”shquparak’ të njohura e tërë neverinë e kadri-partisë tënde për tradhtarin.

S’do kisha humbur asnjë sekondë me ty Ismet, sepse ti s’je as Sali dhe as Kadri, por je një profil false. Me ty s’kam asgjë. Vazhdo merri ajër kësaj toke. S’do kisha humbur asnjë sekondë as për t’i dalë në mbrojtje ish-ministrit të PD, aq më tepër që Ridvan Boden nuk e kam propozuar përsa shumë ka luftuar politikisht kundër qeverisë tonë dhe meje personalisht në parlament.

S’e kam propozuar as për ta larguar si udhëheqës politik të fushatave të PD sidomos në Qarkun e Korçës ku e hoqi PD dhe ne na u bënë më të lehta si fushatat ashtu edhe fitoret.

Arsyeja e propozimit tim, dhe a e ka tradhtuar ai partinë, apo partia atë, janë dy gjëra krejt të ndryshme, këtë debat bëjeni në klubin e SHQUP-it Ismet djali aty ku bisedoni me Babalen, Dëshmitarin X e kadrinjtë e tjerë, Fahri kadrinjtë e deri te Lul kadriu. Ndërsa BSH nuk është as e partive dhe as e kadrinjve dhe nuk ka flamur tjetër përveç flamurit të interesave kombëtare.

Historikisht kja qenë kështu, si për një çudi të madhe që e ka bërë BSH të vetmin institucion në këtë vend ku mortja rrot-kadriste e politikës qorre partiake, s’ka bërë dot asnjë shkatërrim ndër vite.

Të jesh i propozuar për të kontribuar në bordin e BSH, s’duhet të jesh tradhtar, as shërbëtor partie por duhet thjesht të jesh një profesionist. P.sh Arben Malaj dhe Ridvan Bode janë dy ish-ministra, njëri socialist, tjetri demokrat, sot jashtë rolit partiak, të dy nuk janë dakord për asgjë nëse debatohet për taksat, borxhin, por kur vjen puna te proceset vendimmarrëse të BSH, janë dy figura shumë të vlefshme në shërbim të politikës monetare të vendit tonë.

E thënë ndryshe për ty Ismet, shërbëtorë të zellshëm të partisë tënde si Flamur Kadriu apo Kadri Noka, partia mund t’i propozojë në bnordin e institutit për kërkime peshqish Oqeanin Indian, apo në këshillin mbikëqyrës të shpërthimit të lëndëve plasëse në jetën parlamentare të planetit, por ne s’kemi ku t’i propozojmë tjetër veçse në kurset kundër analfabetizmit funksional të atyre që dalin nga klasat kolektive.

Frymorët besnikë të atij lloji janë aq të padobishëm saqë nuk bëhen dot tradhtarë të partisë edhe sikur të çohet dikush e t’iu kërkojë një kontribut për hir të Shqipërisë.

S’kemi qenë dhe s’do jemi kurrë njësoj, sepse ne, PS, e kemi vënë gjithmonë interesin e vendit dhe të shtetit të parin. Edhe këtë herë, duke propozuar Ridvan Boden për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, zgjedhim t’i shërbejmë bankës dhe jo partisë”.

Artikulli paraprakGJENDET I MBYTUR NË PUS 35-VJEÇARI
Artikulli tjetër‘UNAZA E RE’, BASHA: NESËR DO PUBLIKOJMË FAKTE PSE PROJEKTI ËSHTË KORRUPTIV