Një ditë pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër, kryeministri Edi Rama thotë se ai nuk është kriminel. Megjithatë kreu i maxhorancës thekson se fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme.

Nevojën e ndryshimeve në ligjn e dekriminalizimit kryeministri e argumenton me faktin se partitë politike nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.

“Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë, gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”, deklaroi Rama.

Jo vetëm kaq, thotë kryeministri, skanimi i dekriminalizimit duhet të jetë edhe më i thellë.
“Është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, shprehet ai.

Publikimi nga PD i dënimit të padeklaruar të Valdrin Pjetri në Itali e më pas dorëheqja nga marrja e detyrës si kryebashkiak, e kanë futur PS në një spirale të paparishikueshme.

Si zgjidhje PS ka vendosur, konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Shkodrës paraditen e të hënës, më 19 gusht. Pas këtij konstiumi këshilli do ta shpallë të përfunduar mandatin e Voltana Ademit dhe vendin e saj do ta zërë njëri prej dy zëvendëskryetarëve që do të votohet nga këshilli bashkiak.

Por se kush do të jetë i pari Shkodrës për katër vitet e ardhshme përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme kjo mbetet në dorë të presidentit Ilir Meta. Neni 10 i Kodit Zgjedhor dhe neni 115 i Kushtetutës thekson se në rast të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurit vendor, Presidenti i Republikës cakton dekretin për zhvillim e zgjedhjeve të parakohshme jo më vonë se 48 orë nga marrja e vendimit.

Artikulli paraprakDY TË RINJ THEREN NË PRISHTINË
Artikulli tjetërMARRËVESHJA ME BANORËT E “UNAZËS SË RE”, BASHA PREMTON VLERËSIMIN E BANESAVE KUR TË MARRË PUSHTETIN