Raporti, Shqipëria prodhues dhe rrugë kryesore e trafikimit të kanabisit

Shqipëria po kthehet në rrugë kryesore për trafikimin e drogërave në BE. Alarmi në raportin e Bashkimit Evropian për lëndët narkotike. 2017 e gjen Shqipërinë vend prodhues të kanabisit dhe rrugë kryesore e trafikimit të lëndëve narkotike në Europë. Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë në raportin e këtij viti shkruan se rrugët e trafikut të drogërave kanë ndryshuar me hyrjen e vendit tonë në tregun e trafikut dhe kultivimit të kanabisit. Duke e cilësuar si vend jashtë Bashkimit Europian, raporti ngre shqetësimin për këtë fenomen, pasi vendi unë nuk ka qenë vitin e shkuar pjesë e këtij raporti. “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabisit ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raport. Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit. Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit Afganistan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sipas raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016, Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit. Raporti bazohet në informacionin që Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia.

Artikulli paraprakTONIGHT – 06.06.2017
Artikulli tjetër‘FURTUNË’NË ADMINISTRATË, NGA 21 TË SHKARKUAR, 13 JANË NGA LSI