Reforma në Drejtësi, kalon ligji për prokurorinë, PD nuk e voton
Organi i akuzës do të funksionojë ndryshe pas shtatorit. Komisioni i Reformës në Drejtësi miratoi ligjin për organin e akuzës që i heq kompetencat Adriatik Llallës të emërojë, transferojë e ndëshkojë prokurorët e rretheve. Po ashtu dhe nuk mund t’i heqë atyre nga duart dosje të caktuara mbi të cilat kanë nisur hetimet. Komisioni i Reformës në Drejtësi miratoi Ligjin e ri për Prokurorinë. Ashtu si dhe për Ligjin e Vetingut, opozita ndonëse e pranishme në sallë nuk ka votuar për nismën, pavarësisht se kishte sjellë një opinion ku shprehte kundërshtitë me variantin që po miratohej. Disa nga vërejtjet u morën parasysh, por jo mjaftueshëm, sipas PD. Krahas specifikimit që prokuroria funksionon sipas ligjit të vjetër deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, PD propozonte dhe ndryshimin e kritereve për zgjedhjen e kryeprokurorit, saktësimin e marrëdhënies së tij me ministrin e Drejtësisë dhe masat ndëshkimore që merren ndaj kreut të akuzës nëse ka punuar dobët. Ligji pritet të votohet në seancën e 22 gushtit së bashku me atë për Byronë kombëtare të Hetimit, pasi OBDAT të sjellë variantin e tij mbi të vetmin nen që ndan palët.