Regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë do të bëhen nga platforma e-Albania. Një vit më parë kjo mënyrë regjistrimi u aplikua vetëm në 182 shkolla, ndërsa këtë vit do të përfshijë të gjitha shkollat e vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi datën e hapjes së portalit dhe nisjen e aplikimeve për fëmijët e klasave të para.

Duke iu drejtuar prindërve dhe mësuesve Ministrja Kushi shprehet se nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolën që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.

Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.

Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:
Për klasat e para 4 – 17 korrik.
Për klasat e dhjeta 12 – 24 korrik.

“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit,” – shkruan ministrja.

Çdo prind apo kujdestar ligjor pasi të hyjë në llogarinë e tij në portal, duhet të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, rrugën dhe shkollën që shfaqet në sistem.

Artikulli paraprakKONTRIBUTI I SHTETIT NË EKONOMI SHËNOI NIVELE NEGATIVE NË 3-MUJORIN E PARË, JA ARSYET
Artikulli tjetërSHBA-TË FESTOJNË SOT 246 VJETORIN E PAVARËSISË