Vjedhjet e banesave në qytetin e Shkodrës apo edhe krimet më të rënda kanë kthyer edhe njëherë në vëmendje mungesën e rendit dhe sigurisë në metropolin verior.

Pikësynimi i grabitësve janë më së shumti banesat të cilat vidhen me anë të shpërthimit apo metodave të ndryshme të specializuara, duke gjuajtur rastin kur familjarët nuk ndodhen në banesë.

Rasti më i fundit ndodhi me datën 5 të këtij muaji në lagjen “Daniel Matlija” në qytetin e Shkodrës. Sipas njoftimit zyrtare të policisë së Shkodrës është konstatuar e vjedhur me thyerje banesa e shtetasin me iniciale N.A 27 vjec.

Autorët morën disa bizhuteri, një sasi euro dhe paund.Problem për policinë vijon të mbetet identifikimi i autorëve ku në rastin më të fundit blutë nuk kanë arritur që të identifikojnë keqbërësit të cilët vijojnë që të qarkullojnë lirshëm në qytet dhe presin prenë e radhës për të sulmuar.

Burime nga policia e Shkodrës thonë se banesat janë pikësynimi i grabitësve ndërsa mësohet se po punohet për identifikimin dhe kapjen e këtyre grupeve kriminale të cilët mendohet se operojnë në mënyrë të organizuar.

Të njëjtat burime tregojnë se nga analizat e bëra nga policia vendore e Shkodrës grabitjet vijnë kryesisht nga ata persona që janë përdorues të drogës apo kanë probleme të tjera sociale të këtij lloji.

Disa prej këtyre individëve kanë rënë në pranga ndërsa më e vështirë është për grupet e grabitësve të organizuar.Autorët në shumicën e rasteve nuk zbulohen, por edhe kur ndodh kjo, sendet e grabitura nuk shkojnë më tek viktima, pasi në përgjithësi ndodh që janë shitur për fare pak lekë.

Ndaj për të shmangur një situatë të tillë, është e nevojshme që të gjithë të bëjmë kujdes në këto ditë vere ku dhe largimet nga shtëpia janë më të shpeshta.

 

Artikulli paraprakRRUGA E DUKAGJINIT MES JETËS DHE VDEKJES…
Artikulli tjetërKËTË MUAJ NIS PUNA PËR RRUGËN E ARBRIT