Patriarku rus Kirill duket se do të ikë me mbresa pozitive nga vizita e tij në vendin tonë. Në takimin me kreun e shtetit Ilir Meta,

Patriaku i Moskës dhe Gjithë Rusisë shprehu kënaqësinë që konstatonte një ndryshim dhe progres të madh në Shqipëri në të gjitha fushat, nga vizita e tij e parë para 15 viteve në vendin tonë.

Kirill vlerësoi lartësimin e mëtejshëm të besimeve fetare në vendin tonë, çmoi lart harmoninë e bashkëjetesën tonë të mrekullueshme fetare dhe punën e shkëlqyer të klerikëve shqiptarë në këtë drejtim.

Duke çmuar punën e jashtëzakonshme të Kryepeshkopit Anastas në veçanti, Patriarku Kirill shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë drejtuesit e besimeve fetare në vend, që e nderuan gjatë kësaj vizite.

Nga ana e tij Presidenti Meta, në vlerësim të kësaj vizite historike, nënvizoi mesazhet e rëndësishme që ajo përcjell në dobi të paqes, mirëkuptimit, solidaritetit e harmonisë fetare.

Presidenti vlerësoi kontributin e Patriarkut Kirill në funksion të këtij misioni universal, referuar edhe takimit historik të Havanës, së dy viteve më parë, mes tij dhe Atit të Shenjtë, Papa Franceskut dhe mesazheve të përbashkëta që ata përcollën, jo vetëm për besimtarët e krishterë por për mbarë njerëzimin.

Meta theksoi se roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm për paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë midis popujve dhe kombeve.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e përkushtimin ndër vite të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, jo vetëm në funksion të ringritjes kanonike e shpirtërore të Kishës,

të arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë, por edhe për lartësimin e besimit e përhapjes së vlerave të patjetërsueshme të harmonisë dhe tolerancës fetare mes shqiptarëve.

Artikulli paraprakSHPËTOHEN 350 PERSONA, VIKTIMA TË TRAFIKIMIT
Artikulli tjetërDUKAGJINASIT NË PROTESTË PËR RRUGËN