Qytetarët të cilët janë gjobitur në shtetet e huaja gjatë periudhës së izolimit, nga data 1 mars deri më 1 qershor për tejkalimin e afatit të qëndrimit në këto shtete duhet të aplikojnë për rimbursim deri më datë 10 dhjetor.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se të gjithë ata persona që kanë aplikuar por që ende nuk kanë plotësuar mangësitë e dokumentacionit të tyre duhet t’i dërgojnë ato pranë kësaj drejtorie përmes shërbimit postar ose nëpërmjet adresës së email-it (ankesa@tatime.gov.al) brenda afatit.

26 milionë lekë të reja është fondi i përcaktuar nga shteti për rimbursimin e gjobave që kanë marrë shtetasit shqiptarë jashtë vendit për shkelje të afatit të lejes së qëndrimit.

Efekti financiar prej 26 milionë lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020, dhe ky fond tashmë i ka kaluar Ministrisë së Financave, në zërin e shpenzimeve operative.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:

Çdo individ, qytetar shqiptar, që është gjobitur në shtetet e huaja, për arsyen e mësipërme, duhet të dërgojë:

– mandatin e arkëtimit që vërteton kryerjen e pagesës së gjobës, të përkthyer dhe noterizuar,

– formularin e vendosjes së gjobës nga policia kufitare;

– vetëdeklarim për pëlqimin e individit për verifikimin e hyrje-daljeve të tij kufitare nga sistemi TIMS, sipas formatit të përcaktuar (sipas formatit bashkëlidhur njoftimit);

– fotokopje të dokumentit të identifikimit të individit (pasaportë, kartë identiteti);

– të dhënat individuale të llogarisë bankare në Lekë (emër banke dhe IBAN);

– numër kontakti personal ose adresë email.

Artikulli paraprakPRITEN RESHJET E PARA TË BORËS, JA PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërLIGJVËNËSIT E MIÇIGANIT PAS TAKIMIT ME TRUMP: NUK KEMI INFORMACION QË DO TË NDRYSHONTE REZULTATIN E ZGJEDHJEVE