Vjen në ekranet britanike në formën e një dokumentari. Princesha flet për martesën e saj me Princin Charles. Channel 4 do të transmetojë dokumentarin të dielën

Një dokumentar me rrëfime të rralla të Princeshës Diana, ku ajo flet haptazi për jetën e saj intime me Princin Charles dhe për dhimbjen e përjetuar pas shkatërrimit të martesës së saj, do të vijë në ekranet britanike ditën e dielë. Dokumentari përkon me 20-vjetorin e vdekjes së Princeshës, e cila u nda nga jeta në gushtin e vitit 1997 pas një aksidenti me makinë. Rrëfime të rralla të Princeshës Diana lidhur me jetën e saj seksuale me Princin Charles dhe dhimbjen për shkatërrimin e martesës së saj do të transmetohen të dielën në ekranet britanike. Në një dokumentar që koinçidon me 20-vjetorin e vdekjes së saj, transmetuesi Channel 4 do të tregojë pamje të Princeshës teksa ajo flet për martesën e saj, në sesione të regjistruara në mënyrë private me një këshilltar për të folurin në publik. Në këto pamje, nuk mungojnë rrëfimet e Dianës për jetën në çift me bashkëshortin e saj.

Ish-zyrtari personal i mbrojtjes së Dianës, Ken Wharfe i cili gjithashtu shfaqet në këtë dokumentar, shprehet se Princët William dhe Harry nuk do të mërziten nga pamjet që ata do të shohin. Sipas tij, Diana shfaqet aty si një nënë gazmore, normale dhe e dashur. Sidoqoftë, kritikët thonë se detajet intime të martesës së prindërve të tyre, do t’i vendosin trashëgimtarët në një pozicion jo të këndshëm. Pallati i Kensington-it ka refuzuar të komentojë mbi këtë dokumentar. Diana, gruaja e parë e trashëgimtarit të fronit britanik, u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare në Paris, në 31 gusht të vitit 1997, pasi limuzina që transporte atë dhe të dashurin e saj Dodi al-Fayed, u përplas në një tunel ndërkohë që përpiqej t’i shpëtonte paparacëve që i ndiqnin me motoçikleta. Ajo ishte vetëm 19 vjeçe kur fejua me Charles-in në 1981, por martesa me të nuk ishte një episod i lumtur në jetën e saj. Diana fajësoi Camilla Parker Bowles-in, të dashurën e Charles-it që më vonë u kthye në bashkëshorten e tij, për shkatërrimin e martesës së saj.

Artikulli paraprakKUKËS, 11 MIJË QYTETARË KALOJNË MORININ BRENDA NATËS
Artikulli tjetërELBASAN, QËLLON ME ARMË NGA MAKINA, POLICIA GJEN MJETIN TË DJEGUR