Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nuk pret që një samit i BE-së javën e ardhshme t’i hapë rrugën vendit për të filluar bisedimet e anëtarësimit dhe për këtë fajësoi Bullgarinë.

Të gjitha qeveritë e BE-së, ranë dakord që në mars 2020 t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Por negociatat nuk kanë nisur ende, pasi Bullgaria këmbënguli se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe që prekin gjuhën, historinë dhe identitetin.

Edhe pse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka shqyrtuar anëtarsimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, kështu që edhe Shqipëria është në fakt e bllokuar.

Në një intervistë për Politico, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se ishte pesimist.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim”, tha ai, i ulur në një kolltuk lëkure kafe në zyrën e tij në Tiranë.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj: “Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë e mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”

Rama tha se nuk priste që liderët bullgarë të ndryshonin qëndrimin e tyre, pasi ata e kanë kthyer mosmarrëveshjen në një çështje kaq të madhe, sa ishte shumë e vështirë të tërhiqesh.

“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, tha Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.

Zyrtarët bullgarë kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur se ata thjesht po i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që t’u përmbahet angazhimeve të mëparshme dhe të kërkojë të mbrojë të drejtat e bullgarëve në vend.

Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, ka deklaruar se po bën përpjekje me mirëbesim për t’u angazhuar me Sofjen dhe theksoi se një mosmarrëveshje dypalëshe nuk duhet të pengojë fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe një anëtari të mundshëm.

Rama konfirmoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që oferta e anëtarësimit të Shqipërisë të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut – një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, do të kërkojmë të ndahemi”, tha Rama. “Unë kam besim se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë, atëherë nëse [udhëheqësit e BE-së] do të bien dakord apo jo, ne do të shohim.”

Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje gjatë dekadave, Rama u lut për mirëkuptim për pozicionin e Beogradit.

“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozitë shumë të ndryshme nga shumë të tjera, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha ai.

Ai tha se besonte se Serbia duhet të vendosë sanksione me kalimin e kohës, por paralajmëroi kundër shtyrjes së Beogradit, i cili është shumë i varur nga Moska për furnizimet me energji, për të bërë shumë shpejt.

Artikulli paraprakLUFTA NË UKRAINË, BLINKEN: E ARDHMJA VARET NGA KIEVI, NE DO TË OFROJMË NDIHMËN E NEVOJSHME
Artikulli tjetërRAMA DHE ABAZOVIÇ MBËRRIJNË NË BUCHA, SHOHIN ZONAT E BOMBARDUARA NGA FORCAT RUSE NË BORODYANKA