Përveç sekserit Besim Nasufi, i cili u arrestua para dy ditësh, doli në skenë edhe një sekser tjetër, i cili thotë të njëjtat çmime për provimet si Besimi.

Ai njihet me emrin “Dine” ose “Kuqo”, megjithëse roja i fakultetit na thotë se e ka emrin Dardan. Dardani në fillim e pyet bashkëpunëtorin e “Fiksit” se kush e ka orientuar tek ai, pastaj i kërkon t’i çojë lëndët që do t’i marrë notë kaluese. Sekseri bie dakord në parim që të ndërhyjë për dy provimet ku studenti është vlerësuar me notën 4. Ai i thotë se “Unë mund t’i marr këto dy lëndë që keni sjellë”. Më tej shton se t’i lëmë shënimin tek roja. Në shënim të shkruhet emri, mbiemri i studentit dhe data e provimit. Dy lëndët që zotohet të marrë janë “Drejtim Operacional” dhe “Statistikë”. Në fakt, këto dy provime studenti i kishte dhënë para se të takonte sekserin, por ishte vlerësuar me notën 4. Kishin dalë notat para se të takonte sekserin e dytë. Sekseri thotë se tani është më e vështirë, pasi pedagogu ka nxjerrë notat. Për këtë arsye pazari është më i lartë. Po të mos i kishin nxjerrë pedagogët notat, as që bëhej fjalë që do t’i rregullonte notën kaluese. Pas këtij takimi, biseda lihet e hapur për të vazhduar ndërhyrjen për notat kaluese. Bashkëpunëtori i “Fiksit” pyet sërish rojën që luan rolin e ndërmjetësit, për çmimin, meqë sekseri i tha flit me rojën. Ky i fundit i thotë gazetarit të “Fiks Fare” se për të marrë një provim pagesa shkon 100 deri në 150 mijë lekë (të vjetra), por që varet nga pedagogu. “Nëse e ka nxjerrë notën dhe ndërhyn për ta kthyer, atëherë duhen më shumë”, thotë ai. Bashkëpunëtori i “Fiksit” bën një tjetër takim me rojën, i cili i thotë se ka folur me sekserin dhe do 300 mijë lekë për të dy provimet. Studenti mori vesh që ka ngelur, ndaj bashkëpunëtori i “Fiksit” shkon sërish të takojë sekserin. Ky i fundit i tha se do të flasë me zyshën që studenti të hyjë sërish në provim dhe të shkruaj si gjithë të tjerët, zhgarravina. Studenti nuk u fut më në provim pasi u vërtetua sesi funksiononte zinxhiri i sekserëve dhe i marrjes së provimeve.

Artikulli paraprakMILANO: KAPET ME 1/2 KG KOKAINE 20 VJECARI SHQIPTAR
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 08.09.2016