Serbia dërgon note proteste në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, për Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Kjo notë proteste erdhi pas deklaratës që Cakaj bëri për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç duke e krahasuar atë më propagandistin nazist të Hitlerit, Paul Joseph Goebbels. Ky krahasim erdhi pas mohimit nga ana e Vuçiç të masakrës së Reçakut.

Letra, që mban datën 7 dhjetor 2019, një ditë pas deklaratave të Cakaj, kërkon që qeveria të distancohet nga deklarata të tilla që nuk i shërbejnë përmirësimit të raporteve mes dy vendeve në të ardhmen. Ministria e Jashtme serbe kërkon që Shqipëria të ritheksojë respektin e marrëdhënieve dypalëshe se të distancohet nga deklarimet e Cakajt.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh respektin e saj ndaj ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe shpreh protestën më të ashpër me rastin e deklaratës së turpshme të Ushtruesi të Detyrës së Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili presidentin e Republikës (Serbisë) e krahason me Goebbelsin.

Deklarata të tilla në asnjë formë nuk i kontribuojnë përpjekjeve që jemi duke i bërë për avancimin e raporteve të dy vendeve tona dhe marrëdhënieve të përgjithshme në rajon. MPJ e Serbisë pret që Shqipëria t’i dënojë këto deklarata dhe të distancohet nga to. MPJ e Serbisë shfrytëzon këtë rast që Ambasadës së Shqipërisë t’ia ritheksojë respektin e lartë”, shkruhet në letrën e Ministrisë së Jashtme serbe drejtuar Ambasadës shqiptare në Beograd.

Pas deklaratave të Vuçiç për mohimin e Masakrës së Reçakut, ministri Cakaj u shpreh se “Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviçit tani është shndërruar në kampion të mohimit dhe nënvlerësimit të krimeve të luftës.”

Artikulli paraprakNJË AUTOMJET AKSIDENTON RËNDË MOTORÇIKLISTIN
Artikulli tjetërTËRBOHEN TIFOZËT, PLAGOSIN SULMUESIN E TYRE ME LËNDË PLASËSE