Nuk ka një njoftim zyrtar që provimet kombëtare të shtyhen, për këtë arsye ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka vënë theksin se të gjithë nxënësit duhet të përgatitet që ato do të mbahen sipas planit.

Në një kohë kur shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill, Shahini bën me dije se mësimet do të vijojnë të transmetohen onlin edhe në RTSH, siç ka qenë deri më tani, e ndërsa po përgatitet që të futet edhe gjuha e huaj në program.

“Shkollat janë të mbyllura, por ne mësimin po e vazhdojmë. Sot që flasim, kemi diku tek 90% të nxënësve që janë në komunikim direkt me mësuesit e tyre. Ndoshta jo komunikim ditor, por komunikim i rregullt që të marrin instruksionet që duhet t’i bëjnë në shtëpi, detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjnë.

Ndaj, nuk ka ende arsye të mendojmë që provimet kombëtare nuk do të mbahen. Ju duhet të planifikoni që provimet kombëtare do të mbahen sipas planit që kemi bërë deri tani. Transmetimi do të vijojë njëlloj si këto 2 javët që lamë pas. Do të mbyllim dhe do të mbulojmë lëndët që kanë të bëjnë me shkencat, me matematikën dhe me gjuhë-letërsinë për klasat 1-12.

Ky është fokusi edhe për javën e 3-të të punës nga shtëpia, ndërsa për javën e 4 po shohim mundësinë që të përfshimë leksione edhe nga gjuhët e huaja, historia dhe gjeografia”, tha Shahini.

Oraret e transmetimit në RTSH janë po njëlloj: 10:30 dhe ora 18:00, si dhe orari i transmetimit të leksioneve për maturantët në orën 13:30-14:30, e ndërsa bën me dije se gjatë kësaj periudhe do të transmetohen më shumë emisione edukative në RTSH si dhe premtoi se puna e mësuesve, përfshirë këtu edhe vlerësimin do të dixhitalizohet sa më shpejt. Ajo ka shpjeguar edhe 2 shtyllat kryesore ku do të bazohet vlerësimi i tyre.

“Nesër apo pasnesër, ne do e mbyllim udhëzuesin për të gjithë mësuesit dhe mënyrën se si do të vlerësohet puna e nxënësve gjatë këtyre javëve që kanë punuar nga shtëpia. Vlerësimi do të ketë dy elemente.

Është elementi i pjesëmarrjes, pra nxënësi do të vlerësohet me pjesëmarrjen e vet sipas parashikimeve të mësuesit dhe sipas kushteve që ka; dhe e dyta, nxënësi do të vlerësohet edhe me njohuritë që i ka fituar gjatë kësaj periudhe. Do të transmetojmë sa më shumë emisione edukative në RTSH; dhe e dyta do të digjitalizojmë punën tonë arsimore sa më shumë që është e mundur.

Tashmë e bëmë! Ideja është që të vazhdojmë me sa më shumë cilësi edhe përtej kësaj kohe të jashtëzakonshme në të cilën po kalojmë. Kthim mbrapa nuk ka, vetëm duhet të shtyjmë përpara sa më shumë që është e mundur për të realizuar projekte të tilla që janë në dobi të përmirësimit të cilësisë së arsimit në Shqipëri”, tha ajo.

 

Artikulli paraprak‘’JAM GATI T’JU SHTRIHEM PARA SYVE’’, RAMA I LUTET SHQIPTARËVE: AKOMA DILNI NËPËR LAGJE PËR AJROSJE, DO MERRNI NË QAFË FAMILJE, MIQ E KALIMTARË
Artikulli tjetër“KUJDESUNI PËR VETEN”, KALO APEL QYTETARËVE: JU DUAM, JU NDIHMOJMË! NA KUPTONI EDHE LODHJEN TONË