Një fjalë e tepërt ndaj një vajzë që shoqërohej nga i fejuari i saj, ka sjellë një sherr me dy persona të plagosur këtë pasdite në Tiranë.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë me dije se të plagosur kanë mbetur A.M., rreth 27 vjeç dhe e fejuara e tij, K.K., rreth 23-vjeçe. Ata janë transportuar në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Policia njoftoi janë kapur dhe shoqëruar në ambientet e policisë shtetasit: H.N, Ç. Sh., dhe F.P., tre autorët e plagosjes me thikë të çiftit.

A.M. dhe e fejuara e tij ishin në një lokal në zonën e Unazës së Re. Aty, sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia, një person, ulur në një tavolinë aty pranë me 2 të tjerë, ka ngacmuar me fjalë të fejuarën e djalit.

Situata agravon edhe më tej, kur djali dhe e fejuara sapo dalin nga lokali. Aty nis një sherr dhe 27-vjeçari dhe e fejuara e tij goditen me thikë. Dyshohet se ka qenë vetëm 1 nga tre të ndaluarit që goditi çiftin me thikë.

Pas plagosjes së dyfishtë me thikë, 3 autorët e dyshuar janë larguar nga vendngjarja, por u arrestuan më pas nga Policia.

Artikulli paraprakFUSHË KRUJË, KOSOVARI U VRA ME ARMË DHE U DOGJ, DËSHMITARËT PANË AUTORIN: IKU ME VRAP
Artikulli tjetërFSHF DËNON DHUNËN NË VLORË: AJO QË NDODHI ME ARBITRIN, AKT I SHËMTUAR