Nuk është hera e parë që sheshi 2 prilli, simbol i demokracisë dhunohet apo dëmtohet.

Një akt i tillë ka ndodhur sërish. Qytetarë të Shkodrës kanë denoncuar përmes fotografive dhunimin që i është bërë atij sheshi. Një ditë më parë persona të papërgjegjshëm që mund të jenë edhe zyrtar institucionesh kanë krijuar këtë situatë që vjen përmes fotove. Një pjesë e sheshit që simbolizon lartësimin e 4 dëshmorëve të 2 prillit është përdorur ose për të ndezur një zjarr ose ka shërbyer si pikë referimi për të ndezur fishekzjarre. Edhe pasi është kryer ky akt i shëmtuar që nuk nderon askend qoftë edhe ndonjë institucion ka vijuar që të qëndrojë gjatë gjithë ditës i ndotur dhe i dhunuar. Kjo ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të cilët kanë shkrepur fotografi dhe kanë denoncuar çfarë ka ndodhur. Vetëm pas publikimit të fotografive në orët e mbrëmjes në sheshin 2 prilli ka mbërritur një zjarrëfikëse bashkë me disa efektivë për të pastruar atë pjesë. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta dhe sheshi është rikthyer në gjendjen e mëparshme duke mos qenë më i ndotur. Edhe më përpara ka patur tendenca të ndryshme nga persona të papërgjegjshëm të cilët kanë sjellë dëme të ndryshme në memorialin e 2 prillit. Përveç kësaj prej disa vitesh pati edhe një harresë nga institucionet për sheshin 2 prilli derisa bashkia Shkodër akordoi para pak kohësh një fond për pastrimin dhe riparimin e disa pjesëve. Këto dëmtime apo ndotje e dhunimi i atij sheshi tregojnë se vëmendja ndaj memorialit të 4 martirëve të demokracisë është një herë në vit, vetëm atëherë kur përkujtohet ngjarja e 2 prillit 1991.

Artikulli paraprakRRAGAM – SHELDI, RIKONSTRUKTOHET RRUGA
Artikulli tjetërTHETH, DREJT FUNDIT PIKA E INFORMACIONIT PËR TURISTËT