Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive të Zyrës për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), në kuadër të Raportit Vjetor të Drogave 2017, publikuar së fundmi.

Sipas hartës, për përdorimin e kokainës, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15.64 vjeç. Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet që raportohen nga UNODC . Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%. Për përdoruesit e hashashit, Shqipëria ka një prevalencë prej 5.6 (të dhënat po të vitit 2014), që është përgjithësisht më e ulët se një pjesë e madhe e vendeve të Europës Perëndimore, por më e larta në rajon.

Rekordin në Europë e mban Çekia me 11.4%, e ndjekur nga Franca me 11.1%, Italia dhe Spanja me 9.2%, Holanda me 8%. Në botë, përdoruesit më të mëdhenj të hashashit janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me prevalencë vjetore 16.5% dhe Kanadaja me 14.3%. Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” për vitin 2017, publikuar në 23 qershor, Sipas publikimit, të ndarë të pesë kapituj të zgjeruar, Shqipëria, si asnjëherë tjetër në raportet e mëparshme, përmendet në pothuajse të gjitha, si një nga vendet kyçe në trafikimin, prodhimin e barit të kanabisit, madje dhe përdorimin e substancave të forta psikotike nga të rinjtë. Shqipëria është gjithashtu një nga vendet me evidenca të forta në përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në trafikun e heroikës, kokainës dhe kanabisit.

Shqipëria përmendet jo vetëm për trafikimin, por edhe për prodhimin. “Burimet kryesore të barit të kanabisit në Europë janë brenda rajonit, veçanërisht Holanda dhe Shqipëria, megjithëse Europol ka identifikuar Çekinë si një nyje të rëndësishme shpërndarjeje për barin e kanabisit të trafikuar në shtetet fqinjë”, thuhet në këtë kapitull. Shqipëria është gjithashtu pika e parë e shpërndarjes edhe për barin e kanabisit që vjen nga Afganistani. Krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Në kapitullin “Analiza e tregut të drogave sintetike- stimulantët e tipit amfetaminë, substancat e reja psikoaktive”, kur flitet për përdorimin e substancave të reja psikoaktive, raportohet se djemtë shqiptarë, më shumë se vajzat kanë raportuar përdorimin e tyre.

Artikulli paraprakSITUATA E ZJARREVE, 12 VATRA AKTIVE NË 5 QARQE TË VENDIT
Artikulli tjetërPANUCCI ZYRTARISHT “KUQEZI”