Itali, shkatërrohet banda shqiptare e drogës Furnizonte gjithë bregdetin e Adriatikut me drogë

Guardia Di Financa ka shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare që furnizonte me drogë gjithë bregdetin e Adriatikut në Itali. Në pranga kanë rënë 7 persona, ndërsa po hetohen dhe 36 të tjerë, shumica e të cilëve shqiptarë. Në operacion është sekuestruar edhe 70 kilogramë drogë. Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale që përbëhej nga romë dhe shqiptarë në Peskara. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane që shkruajnë se fillimisht mes shqiptarëve dhe romëve kishte pasur rivalitet për sa i përket shpërndarjes së drogës. Por këto dy klane ishin bërë aleatë me pakt gjaku për të përfituar sa më shumë nga shitja e lëndëve narkotike. Mësohet se kjo organizatë kriminale furnizonte me kokainë gjithë bregdetin e Adriatikut, nga Abruco në Marke. Raportohet se në pranga kanë përfunduar 7 persona, pas një operacioni të kryer nga Guardia Di Financa e Peskarës. Shqiptarët e ndaluar janë identifikuar si: Vilson Pepa, Erjon Beqiraj e Ermal Beqiraj. Ndërsa kreu i organizatës kriminale shqiptare dhe krahu i tij i djathtë janë ende në kërkim. Guardia Di Financa raporton se gjatë aksionit janë sekuestruar 10 kg kokainë, 50 kg marijuanë, 10 kg heroinë dhe më shumë se 40 mijë euro. Një fakt tjetër i zbuluar nga policia italiane është se organizata kriminale, ndërronte shpesh makinat dhe kujdesej për çdo detaj. Madje groposte pakot e drogës në disa fshatra të braktisura në Itali. Guardia Di Financa raporton se droga që përdorej nga organizata kriminale në Itali vinte kryesisht nga Gjermania, Holanda dhe Shqipëria. Të ardhurat nga trafikimi, që i kalonin 100 mijë euro në muaj, dërgoheshin në Shqipëri me autobus, me një shofer, i cili është gjithashtu nën hetim. Tek gjurmët e këtij grupi trafikantësh, Guardia Di Financa kishte rënë falë pakujdesisë së një shtetasi italian. Falë tij 150 numra janë përgjuar gjatë hetimeve: 10 mijë orë biseda, dhe 20 mjete janë gjurmuar nga satelitët. Ndërkohë bëhet e ditur se autoritetet italiane po hetojnë dhe 36 persona të tjerë. Në këtë grup bëjnë pjesë: 27 shqiptarë, 9 italianë, 8 prej të cilëve të etnisë rome.

Artikulli paraprakTERMETI NE ITALI,SHPERTHEN BALTA VULLKANIKE
Artikulli tjetërDENOHEN ME 110 VITE BURG 18 SHQIPTARE NE BRITANI.U KAPEN ME 7 KG KOKAINE