Policia italiane e qytetit të Monzës me anë të një operacioni të koduar “Tarocco” ka shkatërruar një bandë grabitësish të makinave luksoze e drejtuar nga dy shtetas shqiptarë.

Nën hetim janë vënë 17 anëtarët e bandës; 7 shtetas shqiptarë, 6 italianë, 1 egjiptian, 1 maroken, e dy gra të nënshtetësisë rumune e bullgare. 7 prej tyre janë arrestuar e 9 të tjerët po hetohen në gjëndje të lirë. Bandës i janë sekuestruar 23 makina lluksoze të grabitura e të shitura në Shqipëri, Gjermani, Mal i Zi e Itali në vlerë përfitimi prej 1 milion e 750 mijë euro.

Banda grabiste në territorin italian makina lluksoze të tipit Jaguar, BMW, Audi, Range Rover etj, dhe i transofrmonte për t’i shituar më pas jashtë kufirit italian. Grabitjet kryheshin në parkinget e makinave, disa prej të cilëve të pozicionuar në aeroportin Malpensa të Milanos apo në parkinget e hoteleve luksoze. Çdo anëtar i bandës kishte një rol të përcaktuar mirë. Fillimisht identifikohej makina për t’u vjedhur e pronari i saj përgjohej deri në momentin e duhur për të realizuar grabitjen. Me anë të instrumentave teknologjikë grabitësit çaktivizonin sistemin e alarmit dhe atë të lokalizimit GPS duke realizuar vjedhjen brenda pak minutash.

Hetimet kanë zbardhur se kjo bandë ka mundur të grabiste një automjet luksoz në parkimgun e një prej hoteleve më të njohura të Milanos, në “Grand Hotel” si dhe në një hotel të madh në Versilia. Pas grabitjes makinat u besoheshin mekanikëve italianë në disa garazhe të pozicionuara në rajonin e Lombardisë, të cilët i transformonin duke i shndërruar numrat e serisë së pjesëve përbërëse të makinave si dhe duke i bërë gati për shitje. Banda e makinave luksoze drejtohet nga dy shqiptarë.

Hetimet e policisë italiane kanë nisur në mars të 2017 pas një kontrolli rutinë rrugor në komunën Muggio në provincën e Milanos. Një kamion që transportonte automjete u gjetën dy makina të vjedhura që po transportoheshin në Maltë. Pas kontrollit të bisedave telefonike të kamionistit investiguesit italianë kanë mundur të identifikojnë anëtarët e bandës me bazë në qytezën e Monzas dhe e drejtuar nga dy shtetas shqiptarë. Operacioni “Tarocco” ka shtrirë hetimet e tij jo vetëm në provincën e Milanos por dhe në territorin e Bergamos, Kietit e Pavias.

Artikulli paraprakTRITOL AUTOMJETIT TË INSPEKTORES SË DAR
Artikulli tjetërPRESIDENTI I KATALONJËS NËNSHKRUAN DOKUMENTIN PËR PAVARËSINË NGA SPANJA