Masa të shtuara dhe të rrepta ashtu si në të gjithë Shqipërinë ka ndërmarrë edhe drejtoria rajonale e policisë së Shkodrës.

Që herët ka patur një mbledhje të zhvilluar mes drejtorit të policisë Alban Çela dhe shefave të sektorëve jo vetëm për të treguar mbi planin e punës por edhe për të dhënë këshillat dhe sugjerimet e fundit në mënyrë që nata e ndërrimit të viteve të kalojë sa me qetë dhe me sa më pak probleme. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se që në orët e drekës dhe deri në orët e para të mëngjesit ka një numër të shtuar të forcave të policisë. Nga sa bëhet e ditur janë afro 100 efektiv të cilët do të kontrollojnë dhe monitorojnë qytetin e Shkodrës ndërkohë që duke shtuar edhe njësitë administrative apo qytetet e tjera të qarkut Shkodër numri është shumë më i madh. Burime pranë policisë shprehen se kryesisht do të jenë nën monitorim zonat strategjike të qytetit siç janë qendrat ku ka mbipopullim të mjeteve motorike por edhe pjesë si dy pedonalet. Një pjesë e mirë e policëve janë me orë shtesë jashtë orarit të punës ndërsa të tjerë do t’i shtohen këtyre forcave duke qenë kështu rreth 100 efektivë në total. Në gatishmëri janë policët e lagjeve, qarkullimi rrugor, forcat e rendit dhe sigurisë publike, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, agjentët e anti-krimit bashkë me oficerët e krimeve të cilët do të jenë të shtrirë pothuajse në të gjithë qytetin e Shkodrës për të siguruar mbarëvajtjen në natën e ndërrimit të viteve. Vendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit, shpejtësia e tejkaluar dhe kryesisht përdorimi i pijeve alkoolike do jenë fokusi i policisë sëbashku me lëndët piroteknike apo përdorimi i armëve, çka do të thotë se shoferët dhe qytetarët nuk duhet ta ekzagjerojnë si e vetmja mundësi për most a kaluar natën në komisaritatin e policisë.

Artikulli paraprakKËSHILLI BASHKIAK, ANËTARËT KËRKOJNË BUXHETIN
Artikulli tjetërFESTA, SPITALI I SHKODRËS NË GATISHMËRI