Një aksident me pasoja është regjistruar në lagjen Liria të Shkodrës rreth orës 10 të së shtunës, ku një shtetas që po lëvizte me biçikletë është aksidentuar në zonën e njohur si Bexhisteni.

Shtetasi në fjalë ka qenë duke kaluar trafikndarësen kur është përplasur nga automjeti tip Benz me targë SH5933E që drejtohej nga shtetasi me iniciale F.C.

Pëplasja ka qenë e fortë, ndërsa i aksidentuari ka përfunduar në xhamin e automjetit, ndërkohë që biçikleta me të cilën po lëvizte, disa metra më tutje në mes të rrugës. Urgjenca e Spitalit Rajonal të Shkodrës mbërriti brenda pak minutash, e cila i kanë dhënë ndihmën mjekësore të aksidentuarit.

Ndërkohë, burime pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës konfirmuan se shtetasi në fjalë është jashtë rrezikut për jetën. Ai po kurohet nën kujdesin e mjekëve, pasi ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku.

Policia që mbërriti në vendin e ngjarjes ka bërë hetimet në lidhje me shkaqet e aksidentit. Dyshohet se gjatë ndërprerjes së rrugës nga ana e kalimtarit, shikueshmëria për drejtuesin e automjetit ka qenë tejet e kufizuar për shkak të pemëve dekorative të vendosura në mes të dy korsive.

Policia gjithashtu ka marrë në pyetje drejtuesin e automjetit sa i përket rrethanave në të cilën ndodhi aksidenti.

Artikulli paraprakTASK-FORCA E UKSH GJOBIT 20 SUBJEKTE
Artikulli tjetërPUKË, SEKUESTROHET KANABIS DHE ARMË