Të paktën 100 subjekte private që furnizoheshin në mënyrë të paligjshme me ujë duke e shpërdoruar atë janë konstatuar nga taks-forca prej 4 grupesh në terren e ngritur nga ndërmarrja e ujësjellësit në Shkodër.

Të gjitha lidhjet dytësore janë ndërprerë, ndërsa bilanci paraprak tregon se vetëm deri tashmë në 20 raste janë marrë masa administrative përmes gjobave. Përballë temperaturave të larta që po kalon vendi, drejtori Molla u bëri thirrje qytetarëve që të mos shpërdorojnë ujin. Molla bëri gjithashtu me dije se gjatë këtij sezoni do t’u jepet fund lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.

Ky aksion i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Shkodrës i shtrirë në të gjitha lagjet e qytetit, është mbështetur edhe nga policia bashkiake. Fatmirësisht task-forca e ngritur nuk ka hasur në vështirësi apo përlasje me banorët ndaj të cilëve janë marrë masa administrative.

Ky aksion pritet të shtrihet në të gjithë qytetin, por edhe zonat rurale ku ofron shërbim ndërmarrja ujësjellës-kanalizime. Aksioni vjen në mes të stinës së verës me qëllim që gjatë këtij sezoni të evitohet çdo rast ku mund të ketë probleme me furnizimin me ujë.

Artikulli paraprakMARTOHET YLLI I FUTBOLLIT LIONEL MESSI
Artikulli tjetërSHKODËR, AKSIDENTOHET NJË SHTETAS