Bashkia Shkodër ka publikuar nga kamerat e sigurisë videon e momentit kur disa persona mbërrijnë tek pallati i sportit dhe shpërthejnë derën duke marrë disa material brenda duke qenë se më përpara pallati i sportit ishte parashikuar si KZAZ 2 për zgjedhjet vendore të 30 qershorit por për arsye sigurie u zhvendos tek shkolla “Arben Broci”.

Në video shihet krejt qartë dhe pastër se si personat vijnë për të shpërthyer derën. Disa djem të rinj ndalojnë policing e policisë së shtetit duke mos e lejuar që të filmojë dhe të mos bëjë asnjë veprim tjetër e po ashtu edhe dy policët bashkiak ndërsa një burrë qëndron i ulur duke shpërthyer derën.

Bashkia e Shkodrëspërmes një deklarate për shtyp dënon dhe denoncon me forcë aktin e rëndë të dhunimit të ndërtesës së Pallatit të Sportit nga persona vandalë, të cilët janë përleshur me punonjës të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të cilët së bashku janë përpjekur të ndalojnë këta dhunues të pronave të qytetarëve shkodranë. Sipas bashkisë këta persona, kanë thyer tarabën e jashtme metalike dhe më pas kanë shpërthyer derën duke u futur në ambjentet e brendshme.

Ka qenë një veprim banditesk, i cili nga sa mund të kuptohet deri tani, frymëzohet edhe nga deklarimet e papërgjegjëshme të qeveritarëve në Tiranë. Vandalët që kanë dhunuar ndërtesën, pasi janë futur brenda saj, kanë nxjerrë materiale të cilat duhet të gjenden dhe të rikthehen aty nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese.

Bashkia Shkodër i kërkon Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të zbardhë me shpjetësi këtë ngjarje të rëndë, dhunim jo vetëm të një prone të qeverisjes vendore por edhe të punonjësve të saj në detyrë funksionale. Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës ka ofruar të gjithë bashkëpunimin e duhur për gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë një minutë e më parë.

Për këtë, kemi vënë në dispozicion të gjitha regjistrimet kamerat e sigurisë në ambjentet e ndërtesave në pronësi e administrim të saj. Së fundi, theksojmë se jemi të vendosur të mbrojmë si deri më tani, të gjitha pronat e Bashkisë së Shkodrës përballë çdo individi apo institucioni që mund të përpiqet t’i dhunojë. I kërkojmë Policisë së Shtetit, të kryejë misionin e saj kushtetues të mbrojtjes së pronës, qetësisë dhe rendit si detyra kryesore me të cilën e ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA PJESË E AKTIT TË GJENEVËS PËR MBROJTJEN E PRODUKTEVE
Artikulli tjetërPD: U DHUNUA PALLATI I SPORTIT, POLICIA NUK NDALOI BANDITËT