Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Aleanca Franceze në Shkodër kanë organizuar një aktivitet të veçantë kulturor në Shkodër i quajtur “Koncert Vizatimor” i cili përfshin brenda muzikën dhe pikturën.

Aktiviteti u zhvillua tek salla e shkollës së mesme të muzikës “Prenkë Jakova”. Atashehu për Kulturën në ambasadën franceze Fransua Terrje tha se artistët francez dhe shqiptar janë bërë bashkë më këtë aktivitet.

“Mirëmbrëma të gjithëve dhe mirë se keni ardhur. Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Aleanca franceze në Shkodër kanë kënaqësinë që t’ju prezantojnë një spektakël që vjen për herë të parë. Ka të bëjë me bashkimin e dy zhanreve, muzikën dhe pikturën.

Është një formë arti e cila është lëvruar shumë vitet e fundit. Ka patur spektakle të ndryshme në Amerikë, në Francë, biles vitin e fundit ka patur një koncert në qytetin ndërkombëtar të tregimeve vizatimore në Angolem të Francës.

Pikërisht nga Franca kemi artistin Sedri Frotje që do të punojë sëbashku me artistin shqiptar David Kryemadhi dhe muzika do të interpretohet nga grupi Hot Club Tirana. Teknika e këtij koncerti konsiston në vizatimin e muzikës e cila luhet direkt në spektakël.

Natyrisht që muzikantët do të luajnë pjesë muzikore nga Jazzi francez. Ju uroj të gjithëve një shikim të këndshëm dhe jam i lumtur që jam sot këtu me ju”.

Gjatë këtij aktiviteti performoi bashkë me grupin Hot Club Tirana, Valin Qerimaj si dhe dizenjatorët Sedri Fortje dhe David Kryemadhi. Idea e këtij aktiviteti ishte për të ndërthurur Jazzin francez me tregimet figurative, tashmë një teknikë e njohur në shumë vende të botës.

Artikulli paraprakMETA KTHEN NË KUVEND PR/ BUXHETIN E 2019: PLOTËSO KËRKESAT E STUDENTËVE
Artikulli tjetërARRESTOHET I DËNUARI PËR VRASJE NË 2009, SHERRI PËR NJË BALERINË