Këto janë fjalët e atletit Llesh Vuksani në një nga intervistat e fundit të tij. Sportisti i mirënjohur shkodran Llesh Vuksani u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare. Për vite me radhë ishte një nga sportistët më të mirë që kishte shumësportëshi në Shkodër. Llesh Vuksani ishte pjesë e ekipit të atletikës së Vllaznisë në disiplinën e hedhjes së shtizës. Për 5 vite me radhë Llesh Vuksani u shpall kampion kampion kombëtar duke qenë absolute në hedhjen e shtizës.

Po ashtu Llesh Vuksani është 5 herë rekordmen kombëtar në hedhjen e shtizës, rekorde që vazhdon t’i mbajë ende nën emrin e tij. Për talentin dhe rezultatet e larta që tregoi në sportin e atletikës, Llesh Vuksani për disa vite u zgjodh edhe si anëtar i ekipit kombëtar të atletikës në disiplinën e hedhjes së shtizës duke përfaqësuar Vllazninë bashkë me emra të tjerë të mëdhenj asokohe.

Sportin e nis që në një moshë të hershme ndërsa me Vllazninë u angazhua që në vitin 1965 duke vijuar kontributin e tij si një prej sportistëve më cilësor të shumësportëshit deri në vitin 1975. Për 10 vite me radhë tregoi aftësitë e tij duke arritur rezultate të larta dhe duke shkëlqyer në disiplinën e hedhjes së shtizës. Llesh Vuksani shumë shpejt bëri për vetë tifozë të shumtë të Vllaznisë të cilët ndiqnin të gjitha garat duke shijuar forcën dhe egon e një sportisti cilësor por edhe profesionalizmin.

Në pak kohë u bë ndër sportistët më të dashur dhe ende kujtohet për fuqinë që kishte në hedhjen e shtizës. Përveçse një sportist cilësor ishte edhe një person shembullor në ekipin kuqeblu. Pas viteve ’90 ashtu si shumë sportistë të tjerë edhe Llesh Vuksani u la në harresë duke mos u vlerësuar për kontributin e tij aq sa duhet. Në vitin 2019 u shpall si një prej sportistëve më të mirë të shekullit në 100-vjetorin e klubit Vllaznia bashkë me emra të tjerë të njohur.

Artikulli paraprakMARIO DRAGHI KRYEMINISTRI I RI NË DETYRË I ITALISË
Artikulli tjetërAMBASADORJA E SHBA: PASTRIMI I LISTAVE, E KËRKON LIGJI