“3 vetë në një varkë, pa llogaritë Nikë Prel Mujen” është premiera që u shfaq në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës me regjinë e Stefan Çapalikut. Kjo histori e vërtetë është drama e Leopold Shkrelit, një i ri nga Shkodra që desh të arratisej kur ishte 17 vjeç bashkë me dy vëllezërit e tij por më pas u arrestuan nga regjimi monist, ashtu si shumë të rinj të tjerë që u arrestuan dhe një pjesë u pushkatuan në tentativë për t’u arratisur.

Drejtorja e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka që ka edhe rolin e nënës së tre djemve në këtë shfaqje shprehet se edukimi i brezit të ri për të kaluarën mbetet një detyrë që në fakt institucionet nuk po e bëjnë.

Regjisori Stefan Çapaliku përveç historisë së familjes Shkreli, tre djemtë dhe nëna e tyre që tradhtohen nga një mik i shtëpisë i cili i padit për planin e arratisjes që në shfaqje është me emrin Nikë Prel Muja shprehet se shoqëria shqiptare duhet të konsumojë përmes teatrit ngjarjet e saj ndërsa në shfaqje janë përfshirë edhe tri letra ajo e Mark Shllakut, Pjetër Arbnorit dhe Muharrem Xhakonit për të treguar realitetin e asaj kohe.

Tre djemtë edhe pas lirimit nga burgu, të ndodhur të vetëm, në kushte të vështira ekonomike dhe në moshë të thyer tashmë e mbyllin shfaqjen duke lënë sërish mesazhin e ikjes nga Shqipëria.

Përveç dramës së mijëra shqiptarëve në 45 vitet e sistemit monist kjo shfaqje trajtoi edhe lënien në harresë të ish të përndjekurve politik në këto 30 vite dhe nepërkëmbjen e tyre e po ashtu edhe faktin se persekutorët dhe ata që ishin pjesë e sigurimit të shtetit vazhdojnë ende të jenë në drejtim ose me poste të rëndësishme.

Artikulli paraprakSHKODËR, PREMIERA E FILMIT “TAKIM NË AJËR”
Artikulli tjetërNIS KAMPIONATI I TENISIT “SHKODRA INDOOR”