Hyrja e qytetit të Shkodrës shumë shpejt do të marrë një formë të re si shkak I rikualifikimit të parkut të Bexhistenit. Ky lajm u dha nga bashkia Shkodër, një ditë më parë kur Star Plus trajtoi problematikat aktuale të hyrjes së qytetit si pasojë e mungesës së investimeve. Në rrjetin social “Facebook”, bashkia Shkodër njoftoi zhvillimin e takimit të radhës në fazën e dytë të projektit për rikualifikimin e zonës në hyrje të qytetit duke thënë se:

“Hyrja e qytetit të Shkodrës, me trashëgiminë historike e natyrore që e karakterizon si dhe me rëndësinë që ka si portë hyrëse, së shpejti do të ketë një koncept të ri zhvillimi, i cili do të marrë formë nga rikualifikimi i Parkut të Bexhistenit.

Sot në Tiranë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, u zhvillua takimi prezantues i fazës së dytë të projektit “Master plani i ndërhyrjeve për hyrjen e qytetit të Shkodrës dhe rikualifikimit të bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës”.

Zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër z. Ardit Çylybyli, në emër të institucionit, dha mbështetjen e plotë për realizimin e këtij projekti i cili ndikon direkt në shtimin e interesit për këtë zone, duke rritur numrin e vizitorëve si dhe duke përmirësuar jetën e banorëve përmes krijimit të hapësirave të gjelbërta e rekreative”,- përfundon njoftimi I bashkisë Shkodër.

Nga sa kuptohet në fotot e projektit, investimi do të përfshijë pedonalen e “Molos”, e cila do të shërbejë si port për ankorimin e mjeteve lundruese, ndërkohë që nuk mungojnë as hapësirat e gjera të cilat do të shërbejnë si shëtitore për qytetarët shkodranë.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, MASSAFRA TAKIM ME KRYEBASHKIAKUN SPAHIA
Artikulli tjetërSHKODËR, 70 FËMIJË NË SITUATË RRUGE