
Klubet shkodrane kanë spikatur në Kupën “Enzo Doshi” në hipizëm, duke siguruar rezultate të rëndësishme në garat e zhvilluara më 24 tetor në Plazhin e Darëzezës, në Fier. Kuajt e klubeve “Kalorësit Illyrian” dhe “Bilali Hipizëm” fituan vendet e para dhe të dyta në dy prej kategorive kryesore të këtij kompeticioni.
Në kategorinë G1, në distancën 4000 metra, vendin e parë e fitoi kali “RAMBO”, i Klubit të Hipizmit “Kalorësit Illyrian”, ndërsa vendi i dytë u sigurua nga “CARAVANSARAI”, i klubit “Bilali Hipizëm”. Kështu, Shkodra arriti të zërë dy vendet e para në këtë garë.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm u shënua në kategorinë G2, në distancën 5000 metra. Këtë herë, vendin e parë e fitoi kali “NIKITA”, e klubit “Bilali Hipizëm”, ndërsa në vendin e dytë u rendit “DIKTAT”, i Klubit të Hipizmit “Kalorësit Illyrian”.
Ndërkohë, në garën me kuaj anglezë, në distancën 2000 metra, kali “IVANKA”, i klubit “Kalorësit Illyrian”, u rendit në vendin e dytë.
Në Kupën “Enzo Doshi” morën pjesë kalorës dhe klube nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Rezultatet e arritura e rendisin Shkodrën ndër përfaqësueset më të suksesshme të këtij aktiviteti sportiv.
https://youtu.be/8UpXE1x2ejc


