Të gjithë pensionistët nëpër Shqipëri, nga kjo e premte do të mund të tërheqin shpërblimin prej 3 mijë lekësh të reja që qeveria ka vendosur të shpërndajë me rastin e festave të fundvitit. Edhe në Shkodër procesi i shpërndarjes ka filluar menjëherë pranë Postës Shqiptare. Sipas drejtores së Institutit të Sigurimeve Shoqërore Shkodër, Violeta Staka, pjesë e shpërblimeve janë të gjitha kategoritë e pensioneve si të pleqërisë, familjare apo invaliditetit.

Marrin shpërblim të gjithë ata që janë përfitues të një pensioni social, ish-ushtarakët, punonjësit e nëntokës dhe veteranët e luftës. Të gjithë pensionistët do të marrin shpërblimin sipas një grafiku të përpiluar në bazë të marrjes së pensionit. Këtë të premte të parët përfitojnë ata që marrin pensionin në datën 1, ndërkohë në këtë mënyrë procesi do të vijoj për të tjerët deri në datën 31.

Megjithatë, sipas Stakës, edhe nëse përfitimi nuk merret në këtë periudhë, ata mund t’a marrin edhe më vonë, kur të duan. Së bashku me pensionistët do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit edhe familjet me ndihmë ekonomike. Këta të fundit janë përfitues të 2 mijë lekëve të reja.

Artikulli paraprakRRAGAM, BANORËVE U BLLOKOHET RRUGA MBI DIGË
Artikulli tjetërBANORËT NJËZËRI: DUAM RRUGËN E DUKAGJINIT